HomeAktualitetShoqatat e transportit publik në alarm: Rrezik ndërprerjeje shërbimi në 450 linja,...

Shoqatat e transportit publik në alarm: Rrezik ndërprerjeje shërbimi në 450 linja, shkak rritja e kostove të karburantit

Advertismentspot_img

Shoqatat e transportit publik kanë ngritur alarmin se sektori po përballet me një rritje të fortë kostosh, kryesisht për shkak të shtrenjtimit të karburantit dhe mungesës së masave kompensuese nga institucionet, duke paralajmëruar se nga java e ardhshme mund të ndërpritet shërbimi për rreth 450 linja në të gjithë vendin.

Shoqata e Transportit Qytetas dhe ajo e Transportit Urban dhe Interurban i janë drejtuar sërish ministrive përgjegjëse të Delina Ibrahimaj dhe Enea Karakaçi, duke kërkuar ndërhyrje urgjente dhe miratimin e një skeme kompensimi për karburantin, të ngjashme me atë të aplikuar në vitin 2022.

Sipas operatorëve, pas takimit të zhvilluar më 1 prill, ishte premtuar një tjetër mbledhje më 7 prill, e cila nuk është realizuar, ndërsa deri më tani nuk ka asnjë reagim apo qëndrim zyrtar nga institucionet. Kjo situatë, sipas tyre, po rrit pasigurinë financiare dhe po e bën të pamundur vijimin normal të aktivitetit.

Në kërkesat e tyre, shoqatat theksojnë se rritja e kostove të mirëmbajtjes, pjesëve të këmbimit dhe sidomos karburantit ka rënduar ndjeshëm sektorin, duke kërkuar një paketë emergjente mbështetëse dhe një kompensim të naftës në nivelin e propozuar prej 100 lekë për litër.

Operatorët paralajmërojnë se, në mungesë të ndërhyrjes së menjëhershme, sektori rrezikon reduktimin e flotës, uljen e frekuencës së linjave dhe në fund ndërprerjen e shërbimit publik, me pasoja direkte për qytetarët në transportin urban dhe ndërurban.

Sipas tyre, kërkesa përfshin edhe lehtësime fiskale, përfshirë akcizën, taksën e qarkullimit dhe TVSH-në, si mënyrë për të stabilizuar situatën dhe për të shmangur kolapsin e sektorit.

Advertismentspot_imgspot_imgspot_imgspot_img
spot_img
RELATED ARTICLES
- Advertisment -spot_img
- Advertisment -spot_img

Most Popular