Një bashkëbisedim i pazakontë në rrjetet sociale është bërë viral në orët e fundit, ku në qendër të vëmendjes është një i ri nga Kosova dhe vetë NASA. Gjithçka nisi pas publikimit të disa pamjeve mbresëlënëse nga misioni Artemis II, ku shfaqej ana e pasme e Hënës me Tokën në sfond. Megjithatë, jo të gjithë përdoruesit u bindën për autenticitetin e këtyre imazheve.
Komenti i cili brenda pak minutave mori qindra “likes” ngriti dyshime për mungesën e yjeve në foto, duke sugjeruar se ato mund të ishin krijuar nga inteligjenca artificiale. Ky koment mori një përgjigje të drejtpërdrejtë nga NASA, e cila sqaroi arsyen shkencore pas këtij fenomeni. Sipas agjencisë, yjet nuk duken në këto imazhe sepse janë shumë më të zbehtë krahasuar me ndriçimin e fortë të Hënës, e cila reflekton shumë më tepër dritë. Për më tepër, kamerat kanë kufizime në kapjen e kontrastit mes elementeve shumë të ndritshme dhe atyre shumë të errëta.
Ndërkaq, në 2 gusht do të ndodhë një nga eklipset totale diellore më të gjata të shekullit. Hëna do të mbulojë plotësisht Diellin, duke kthyer ditën në një natë të pazakontë. Qielli do të errësohet, temperatura mund të ulet pak dhe madje mund të duken edhe yjet për disa çaste. Ky fenomen nuk do të ndodhë në gjithë botën, por vetëm në zonat që ndodhen në rrugën e eklipsit. Në këto vende, errësira mund të zgjasë deri në rreth 6 minuta, gjë që është shumë e rrallë për një eklips diellor.








