Pas 16 vitesh në pushtet, epoka e Viktor Orban ka marrë fund, duke shënuar një kthesë historike në politikën hungareze. Sistemi i tij i qeverisjes, i kritikuar shpesh si një “autokraci elektorale”, është rrëzuar nga një sfidant i papritur – ish-bashkëpunëtori i tij, 45-vjeçari Peter Magyar, raporton BBC.
Duke iu drejtuar një turme mbështetësish të entuziazmuar në një shesh pranë Danubit, përballë Parlamentit në Budapest, Magyar deklaroi fitoren: “E bëmë. Së bashku përmbysëm regjimin hungarez.”
Rezultatet paraprake të zgjedhjeve, bazuar në mbi 98% të votave të numëruara, tregojnë një fitore dërrmuese për partinë e tij Tisza, e cila pritet të sigurojë rreth 138 mandate në parlament. Ndërkohë, partia në pushtet Fidesz e Orbanit bie në 55 mandate, ndërsa forca e ekstremit të djathtë Lëvizja e Atdheut Tonë pritet të marrë 6 vende.
Fushata e Magyarit, e zhvilluar për më shumë se dy vite në qytete, fshatra dhe sheshe publike, mobilizoi një pjesë të madhe të elektoratit të pakënaqur nga korrupsioni dhe klientelizmi i përhapur gjatë qeverisjes së Orbánit. Sipas tij, pjesëmarrja rekord prej 79.5% e votuesve përbën një moment historik për demokracinë në vend.
“Askurrë më parë në historinë demokratike të Hungarisë nuk kanë votuar kaq shumë qytetarë dhe asnjë parti nuk ka marrë një mandat kaq të fortë,” deklaroi ai pas publikimit të rezultateve.
Rënia e Orbanit ishte e shpejtë. Ndërsa vetëm 30% e votave ishin numëruar, Magyar bëri të ditur se kishte marrë një telefonatë nga vetë kryeministri në largim, i cili e kishte uruar për fitoren. Pak më vonë, Orban doli para mbështetësve të tij duke pranuar humbjen.
“Rezultati është i qartë dhe i dhimbshëm,” tha ai, duke falënderuar rreth 2.5 milionë votues që i qëndruan besnikë. “Ditët në vijim do të jenë për të shëruar plagët tona.”







