Në vetëm pak kohë, jeta e Ronela Hajatit u duk se mori një drejtim tërësisht të ndryshëm. Ishte vera e shkuar, ku artistja bëri publike lidhjen e saj të dashurisë. Në postime plot romancë dhe dashuri, këngëtarja na prezantoi edhe me partnerin e ri. Por veç dashurisë së re, ajo ndryshoi edhe kontinent, për të shkuar pas kësaj lidhjeje.
Nga Kanadaja ku u vendos për të shijuar jetën e re, Ronela publikonte foto shpesh herë me të dashurin. Në rrjet u fol se djali në fjalë ishte i huaj, çfarë edhe solli shkëputjen e saj nga jeta artistike dhe jo vetëm në Tiranë. Por duket se romanca ka zgjatur pak kohë. Pas gati 1 viti nga kjo lidhje, dyshja i dha fund. Këngëtarja fshiu të gjitha postimet që kishte me të dashurin e ri dhe nuk bëri të ditur asnjë detaj se çfarë kishte ndodhur me jetën e saj private. Vetëm pak kohë më parë, vetë artistja ka pranuar kohë pas kohe se ishte single.
“Sot dashuria është bërë betejë e pamundur. Edhe dashuria që mund të kenë janë kthyer vetëm në ambicie. Kam përshtypjen se më shumë ma ka thyer zemrën vetja ime dhe pritshmëritë që kisha. Fatkeqësia më e madhe është që sot ka të dashuruar që nuk janë bashkë dhe njerëz që janë bashkë, por nuk janë të dashuruar”, – u shpreh këngëtarja.
Pas ndarjes që mesa duket ka ende gjurmë tek këngëtarja, ajo ka lënë edhe Kanadanë. Bëhet me dije se artistja është rikthyer në Shqipëri, ku është duke u angazhuar me arredimin e shtëpisë së re, në një kompleks në periferi të Tiranës. Pasi përfundoi për të romanca, me gjasa përfunduan edhe ëndrrat për të ndërtuar një jetë të re në një vend të largët. Ronela tashmë gjendet në Tiranë, ku ka një agjendë të ngjeshur me koncerte dhe produksione të reja.
Mesa duket historia e saj dashurisë erdhi me ndryshime të mëdha, por edhe u mbyll me ndryshime. Dhe si çdo vajzë pas një ndarjeje, ndryshimet në pamje janë të parat. Dhe tek Ronela këto ndryshime janë lehtësisht të dallueshme, pasi artistja është shfaqur disa kilogram më pak. Ajo ka folur hapur së fundmi për transformimin e saj fizik, duke ndarë me publikun rrugëtimin e vështirë drejt dobësimit dhe përballjen me paragjykimet. E ftuar në emisionin e Arbana Osmanit, artistja tregoi se ndryshimi në pamje nuk erdhi brenda natës, por ishte rezultat i një pune të gjatë dhe disipline. Ajo theksoi se përveç sfidave fizike, një pjesë e vështirë kanë qenë edhe komentet dhe gjykimet nga të tjerët. Ronela u shpreh se shpesh është paragjykuar për pamjen e saj ndër vite, por kjo nuk e ka ndalur të vazhdojë përpara dhe të ndihet mirë me veten.







