Në Ithaca të shtetit Nju Jork, çdo pranverë ndodh një fenomen i pazakontë. Miliona bletë të varrosura dalin nga toka e varrezave East Lawn, duke krijuar një nga grumbullimet më të mëdha të njohura në botë të bletëve që ndërtojnë fole në tokë.
Nuk bëhet fjalë për një skenë horror, por për specien Andrena regularis, e cila jeton në vetmi në galeri nëntokësore dhe del në sipërfaqe për polen e çiftëzim.
Çdo prill, miliona bletë të ‘varrosura’ dalin nga toka në Varrezat East Lawn të Ithacës, duke krijuar një nga grumbullimet më të mëdha të njohura të bletëve që ndërtojnë fole në tokë.
Entomologët e Universitetit Cornell vlerësojnë se aty jetojnë rreth 5.5 milionë bletë, të cilat dalin në sipërfaqe për polen, çiftëzim dhe ndërtimin e strofullave ku larvat kalojnë dimrin.
Ky fenomen është i njohur që nga viti 1935, por vetëm në vitin 2021 u kuptua shkalla e vërtetë e përqendrimit, falë zbulimit të rastësishëm të teknikes Rachel Fordyce.
Në pranverën e vitit 2023, ekipi i Cornell vendosi kurthe speciale mbi foletë dhe mblodhi mbi 3,200 insekte nga 16 specie.
Analiza tregoi një dendësi mesatare prej 853 bletësh për metër katror, duke sugjeruar se rreth 5.56 milionë bletë mund të kenë dalë atë vit.
Përveç A. regularis, aty gjenden edhe specie të tjera, si bleta parazitare Nomada imbricata.
Studiuesit theksojnë se bletët e vetmuara që folezojnë në tokë janë pjalmues të rëndësishëm, sidomos për mollët dhe boronicat në Nju Jork.
Varrezat ofrojnë një habitat ideal: qetësi, mungesë pesticidesh dhe pak shqetësim të tokës. Megjithatë, ata paralajmërojnë se grumbullime të tilla mund të zhduken menjëherë nëse vendet e folezimit shkatërrohen.
“Popullata të tilla janë të mëdha dhe kanë nevojë për mbrojtje. Nëse dikush ndërhyn në tokë, mund të humbasim miliona bletë pjalmues të rëndësishëm,” thekson entomologu Bryan Danforth.







