HomeAktualitetÇernobili dhe ish-blloku komunist lindor, shpërthimi bërthamor më i madh i sekullit...

Çernobili dhe ish-blloku komunist lindor, shpërthimi bërthamor më i madh i sekullit të 20-të! Pasojat e vërteta janë të panjohura deri sot

Advertismentspot_img

Shpërthimi në centralin bërthamor të Çernobilit konsiderohet si aksidenti më i madh bërthamor i shekullit të 20-të. Regjimet komuniste e mbajtën të fshehtë për ditë të tëra. Pasojat e vërteta janë të panjohura deri sot.

40 vjet më parë, më 26 prill 1986, saktësisht në orën 1 e 23 minuta, në Çernobil të Ukrainës shpërtheu një reaktor bërthamor. Aksidenti pati pasoja masive për ambjentin, jo vetëm në pjesë të Bashkimit Sovjetik të atëhershëm, por edhe në Evropën Veriore, Qendrore dhe Juglindore.

Reja radioaktive mbi Çernobil u shpërnda me shpejtësi në drejtim të Bjellorusisë dhe Rusisë dhe dy ditë më vonë mbërriti në Skandinavi, Poloni, në jug të Republikës Federale të Gjermanisë dhe në ish-Republikën Demokratike Gjermane (RDGJ). Shi i helmuar ra edhe në Rumani dhe nëBullgari. Re radioaktive u shpërndanë brenda pak ditësh mbi të gjithë hemisferën e veriut.

Ushqime të helmuara
Meqenëse udhëheqja e RDGJ-së nuk publikoi vlera të matjes për një kontaminim të mundshëm radioaktiv të perimeve dhe qumështit, këto mallra nuk mund të eksportoheshin më dhe u shitën brenda vendit. “Asnjëherë dyqanet nuk kanë qenë më plot se atëherë”, kujtojnë dëshmitarët sot. Ushqimet e kontaminuara iu shpërndanë atëherë mensave të shkollave, thotë fizikani dhe ish- aktivistit për të drejtat e njeriut të RDGJ-së, Sebastian Pflugbeil. Nxënës, prindërit e të cilëve shikonin në “televizionin perëndimor” lajmet dhe që u kishin treguar fëmijëve për kontaminimin e mundshëm, nuk e preknin ushqimin. Për kënaqësinë e “të paditurve”, që papritur lejoheshin të hanin dy ose tre porcione. Zyrtarisht në RDGJ thuhej se nuk kanë ekzistuar asnjëherë rreziqe për shëndetin, thotë Pflugbeil.

Bllokadë informimi

Politikë e ngjashme u ndoq edhe në shtetet e tjera komuniste. Në Bullgari pas fatkeqësisë për ditë të tëra u vendos bllokadë për informimin. Paraskeva Ninova, një mjeke dhe profesore, e cila mbikqyrte atëherë të gjitha spitalet në Bullgari, tregoi për udhëzime të fshehta për shefat e pavioneve: fëmijëve nuk duhet t’u jepej më në klinika qumësht i freskët dhe sallatë – këto ishin masat e para mbrojtëse kundër radioaktivitetit në rritje. Por publikut ato nuk iu transmetuan. Madje edhe manifestimet e 1 majit në Sofie u zhvilluan nën shiun radioaktiv që binte.

Në Rumani, shumë patën dëgjuar përmes stacioneve perëndimore Radio Free Europe dhe Deutsche Welle për katastrofën, por askush nuk ishte në gjendje t’i vlerësonte rreziqet. Vetëm në 2 maj në Rumani u rekomandua zyrtarisht që të lahen mirë perimet dhe frutat – dhe që fëmijët të mbahen kryesisht në dhoma të mbyllura. Në kopshte fëmijësh dhe në shkollat e të gjithë bllokut lindor në fillim të majit u shpërndanë tableta me jod ose lëngje kundër rrezatimit radioaktiv.

Pasoja të pahulumtuara
Për numrin e viktimave ose pasojat shëndetësore të katastrofës deri sot nuk ka të dhëna të sigurta. Vitet e para ishte e ndaluar që të mbaheshin shënime për viktimat, për përmasën e rrezatimit bërthamor dhe për sëmundje të mundshme. “Nuk ka të dhëna të besueshme, shifrat u manipuluan”, shprehet Pflugbeil. Organizata Botërore e Shëndetësisë (WHO) flet për rreth 8000 vetë që kanë humbur jetën prej katastrofës, gjysma e tyre e humbi jetën në pasoja të mëvonshme të dëmshme të rrezatimit./DW

Advertismentspot_imgspot_imgspot_imgspot_img
spot_img
RELATED ARTICLES
- Advertisment -spot_img
- Advertisment -spot_img

Most Popular