E shtuna edhe pse fundjavë në Akademinë e Shkencave ishte si çdo ditë, pasi në sallën “Aleks Buda” të Akademisë së Shkencave të Shqipërisë u zhvillua promovimi i librit më të ri të shkrimtarit Ahmet Prençi, romani “Ministri”.
Shtëpia botuese Mediaprint kishte menduar të mblidhte në këtë ditë të veçantë të autorit, në përvjetorin e lindjes, miq të tij, dashamirës të librit dhe shkrimtarë për të kuvenduar dhe komentuar “Ministrin” i cili edhe pse nuk ka shumë ditë që ka dal në treg ka zgjuar masivisht kureshtjen e lexuesve dhe pse jo ka shënuar rekord shitjeje që në start, pas daljes nga botimi.
Në sallën e mbushur plotë veç drejtueses së Shtëpisë Botuese Ed Vela e cila krah kishte autorin Ahmet Prençi nuk mungonin as personalitetet e letrave ku duhen veçuar shkrimtari Besnik Mustafaj, Rudolf Marku, Ylljet Aliçka Behar Gjoka, Arben Cejku, Bislim Ahmetaj, Marçel Hila, por nuk mungonin as dashamirës të librit dhe krijmtarisë së z.Prençi si dhe drejtues dhe ish drejtues institucionesh dhe gazetarë.
Pjesë e promovimit të romanit “Ministri” i autorit Ahmet Prençi ishte dhe aktori i njohur Ervin Bejleri që emocionoi të pranishmit më leximin e pjesëve nga libri.
Në këtë takim u sollën analiza mbi librin dhe duke dhënë vlerësimet e tyre. Romani “Ministri” është një pasqyrë e një realiteti të zhveshur nga retorika dhe të zhytur në moralin gri të kompromisit dhe të heshtjes. Ai vjen si një rrugëtim politik, emocional dhe psikologjik drejt pikëpyetjeve rrëqethëse.
Gjatë takimit, fjalën e morën shkrimtari Marçel Hila i cili duke vlerësuar maksimalisht librin u ndal dhe përmendi disa emra të ish ministrave të Brendshëm që sipas tij mund të ishin personazhi i librit. Historiani Hila u ndal të mesazhi që jep romani duke theksuar se ai është mjaft i qartë dhe domethënës për shoqërinë tonë dhe duhet të shërbejë si një reflektim të asaj që ka ndodhur.
Studiuesi Behar Gjoka si redaktor i romanit të parë të Ahmet Prençit (Anja) tha se romanin “Ministri” e kishte lexuar dy herë, të parën ende i pabotuar dhe të dytën 2 orë para promovimit dhe theksoi se ndihet mirë që autori ka shkuar drejt rritjes së konsolidueshme të krijimtarisë së tij. Ndër të tjera studiuesi Gjoka theksoi se si njohës dhe lexues i romanit, kjo vepër mund të lexohet në të gjitha format dhe të gjitha leximet nuk bëjnë gjë tjetër vetëm e përplotësojnë. Dikush e sheh si roman policesk, dikush si roman politik, dikush si roman psikologjik të gjitha këto mbishtresime janë, por nëse e mbyllim mendimin në të njëjtën pamje jemi të paplotë në gjykim. Për mua “Brenga e Prokurorit” dhe “Ministri” janë pjesë të një triologjie që mbartin personazhe, ngjarje dhe nuk ka asnjë kufizim për lexuesit ta shikojnë ashtu siç i pëlqejnë.
Shkrimtari Arben Çejku në fjalën e tij tha se -“Romani “Ministri” është një nga veprat më të mirat të Ahmet Prençit, e cila e konsolidon profilin e tij si shkrimtar të angazhuar në kërkim të drejtësisë morale, ligjore, shoqërore dhe institucionale, si një zë të guximshëm intelektual që na fton t’i themi “jo” të keqes, kudo që ajo shfaqet! Në këtë roman, shkrimtari Ahmet Prençi e shkarkon dhe e burgos “Ministrin” e tij, kriminelin mashtrues, Marjan Boja. Duke njohur prej shumë vitesh karakterin dhe përkushtimin profesional si njeri në zbatim të ligjit, mund t’ju garantoj se një Kryeministër si Ahmet Prençi, jo vetëm do ta shkarkonte një person të tillë, por do ta bënte shembull për të tjerët!”
Në vijim të fjalës së tij z.Çejku theksoi se –“Në të gjithë tekstin duket qasja e tij kritike ndaj personave dhe fenomeneve të tilla, shprehur nëpërmjet figurës së Arsenit, Drejtorit të Përgjithshëm të Policisë. Kjo është një arsye më tepër pse unë besoj në sinqeritetin dhe vërtetësinë e kësaj vepre, e cila është jo vetëm pasqyrë e realiteteve që ka njohur vetë zoti Prençi, por edhe një plotësim me ngjarje aktuale që ndodhin përreth tij sot. Unë i besoj autorit dhe mesazhit të romanit, i cili na fton t’i bashkohemi në thirrjen e tij intelektuale për një katarsis, për një pastrim të politikës nga krimi e korrupsioni, për një veting të figurave publike dhe administrative si dhe për një reflektim të të gjithë shoqërisë sonë, e cila është shumë e politizuar dhe fare pak e angazhuar! Që nga dita kur miku im, shtetari dhe shkrimtari Ahmet Prençi publikoi njoftimin për botimin e romanit të tij të ri, “Ministri” dhe deri sot, kam ndjekur me vëmendje shënimet dhe komentet e shumta që janë bërë për të. Nuk është hera e parë, që botimet e Ahmetit, shoqërohen me një jehonë komentesh, analizash, diskutimesh dhe publikimesh gjithandej. Heshtja e vret një vepër, kurse diskutimet dhe debatet rreth saj i japin jetëgjatësi. Uroj që librat e Ahmetit, të shoqërohen gjithnjë me diskutime.
Edhe shkrimtari Rudolf Marku duke analizuar librin dha vlerësimet e tij mbi romani “Ministri” si dhe shprehu konsideratën e tij për rritjen e Ahmet Prençit si shkrimtar. Ai bëri apel që krijimtaria e z.Prenci të lexohet dhe madje bëri dhe krahasime duke theksuar faktin që si letërsi bashkëkohore veprat e tij janë mjaft të lexueshme pasi ke çfarë gjen duke nisur nga personazhet, subjekti i veprës, ngjarje konkretet ndryshe nga shumë libra të tjerë që ndonëse gjen letërsi dhe i lexon me endje në fund nuk mban mend asgjë.
“Ministri” i Ahmet Prençit promovohet në Akademinë e Shkencave, merr vlerësimet e Marçel Hilës, Rudolf Markut, Behar Gjokës dhe Arben Çejkut
RELATED ARTICLES







