nga Bujar Leskaj
Në lidhje me projektligjin “Per ratifikimin e Konventes Shumepaleshe per lehtesimin e zbatimit te Shtylles se Dyte, Subjekt i Rregullit Tatimor”, përtej rezervave të mija për mënyrën se si ka ardhur në Kuvend ky projektligj, me mungesën e plotë të analizave shoqeruese, për të kuptuar se çfarë përfiton konkretisht Shqiperia nga ratifikimi i saj, si dhe mos-pyetjen fare të shoqatave të biznesit, shpreh shqetësimin tim të thellë për rrezikun për humbjen e fleksibilitetit te vendit per politika fiskale lehtesuese kombetare, me ratifikimin e Konventës.
Republika e Shqipërisë i është bashkuar në vitin 2019 kuadrit gjithëpërfshirës të projektit ndërkombëtar mbi erozionin e bazës tatimore dhe zhvendosjen e fitimit, të quajtur “BEPS”. Aktualisht, fokusi kryesor i punës së anëtarëve të kuadrit gjithëpërfshirës të BEPS është implementimi i zgjidhjes, nëpërmjet dy shtyllave për sfidat tatimore, qe rrjedhin nga digjitalizimi i ekonomise globale.
Shtylla e Dytë bazohet në rregullat globale kundër erozionit të bazës tatimore, si dhe në Konventën Shumëpaleshe, Subjekt i Rregullit Tatimor, të quajtur STTR. Konventa synon që taksapaguesit të jenë subjekt i një niveli minimal tatimi, duke siguruar kështu rregulla të njëjta dhe të barabarta globale tatimi.
I. Me Konventën pothuajse nuk kemi fare hapësira për politika fiskale lehtësuese!
Ratifikimi i Konventës Shumëpalëshe që lehtëson zbatimin e Shtyllës së Dytë të reformës globale të taksimit, për një ekonomi të vogël dhe në zhvillim si Shqipëria, ngre një çështje thelbësore: sa hapësirë mbetet për politika fiskale lehtësuese që synojnë tërheqjen e investimeve?
Shtylla e Dytë vendos një normë minimale efektive tatimi prej 15% për ndërmarrjet shumëkombëshe. Nëse një filial në një vend tatohet më pak se 15%, vendi i rezidencës së kompanisë mëmë mund të aplikojë një takse kompensimi (“top-up tax”) për të arritur nivelin minimal. Konventa STTR (Subject to Tax Rule) e kufizon përfitimin nga normat e ulëta ose nga përjashtimet.
Historikisht, vendet në zhvillim kanë përdorur stimuj fiskalë, si norma tatimi mbi fitimin të reduktuara, ose përjashtime (“tax holidays”), për të tërhequr investime të huaja direkte. Me zbatimin e Shtyllës së Dytë, pra Konventës, për vendin tonë përfitimi nga normat e ulëta bie, pasi diferenca mund të tatohet diku tjetër.
Nga ana tjetër, përjashtimet tatimore e humbasin efektivitetin për grupet e mëdha shumëkombëshe dhe hapësira për konkurrencë fiskale, përmes normës së tatimit ngushtohet ndjeshëm.
II. Rreziku i humbjes së konkurrueshmërisë investuese
Shqipëria konkurron me vende të rajonit për tërheqjen e kapitalit. Nëse instrumentet fiskale bëhen më pak efektive, atëhere vendimmarrja e investitorëve zhvendoset drejt faktorëve të tjerë (infrastrukturë, sundim i ligjit, kapital njerëzor), ku Shqipëria mangësi të mëdha.
Në këtë mënyrë, vendi rrezikon të humbasë avantazhin relativ që ofronte, përmes lehtësive fiskale në sektorë të caktuar. Kështu rritet mundësia që investimet e reja të orientohen drejt juridiksioneve me kushte jo-fiskale më të favorshme, duke iu larguar Shqipërisë.
Po ashtu, edhe ndikimi në politikat zhvillimore sektoriale është negativ. Skemat e dedikuara për sektorë prioritarë (teknologji, turizëm, energji, prodhim), zakonisht mbështeten tek incentivat fiskale. Nën regjimin e ri të Konventës, për Shqipërinë këto skema duhet të rikonceptohen, duke humbur shumë avantazhe, për të qenë respektues të Shtyllës së Dytë (“Pillar Two–compliant”).
Vendi detyrohet që të zhvendosë përfitimet, nga ulje tatimi drejt mbështetjeve të drejtpërdrejta ose kredive të rimbursueshme, për të cilat nuk i ka mundësitë dhe kapacitetet sot.
Nga ana tjetër, shtohet kompleksiteti administrativ dhe nevoja për ekspertizë të specializuar.
III. Presioni mbi sovranitetin fiskal të vendit
Edhe pse vendimmarrja për normat tatimore mbetet formalisht sovrane, efektivisht vendet nënshkruese të Konventës kanë më pak liri për të devijuar nga minimumi global, pa humbur të ardhura, të cilat mund të “kapen” nga vende me juridiksione të tjera, përmes top-up tax(taksës kompensuese). Kjo krijon një lloj standardizimi de facto të politikave tatimore për grupet e mëdha.
Zbatimi i rregullave të Shtyllës së Dytë, pra të detyrimeve të Konventës kërkon (i) sisteme të avancuara raportimi dhe llogaritjeje të normës efektive, (ii) trajnim të administratës tatimore, si dhe (iii) koordinim ndërkombëtar dhe shkëmbim informacioni Kushte këto që Shqipëria i ka shumë të vështira t’i plotësojë, me qeverisjen e papërgjegjshme të sektit Rama, që ka.
Për një administratë me kapacitete të kufizuara, këto janë kosto jo të vogla dhe rrezik për zbatim jo të plotë.
xxx
Ratifikimi i Konventës Shumëpalëshe për lehtësimin e zbatimit të Shtyllës së Dytë, Subjekt i Rregullit Tatimor, vërtet që e afron Shqipërinë me standardet globale dhe luftën kundër shmangies së taksave, por njëkohësisht ia ngushton shumë hapësirën për përdorimin e instrumenteve tradicionale të politikës fiskale lehtësuese.
Për këto instrumente, vendi ynë ka shumë nevojë dhe Partia Demokratike është e përkushtuar të zbatojë politikën e saj të taksës së sheshtë, të uljes historike të barrës tatimore dhe të lehtësirave të ndjeshme fiskale për qytetarët dhe bizneset.
Sot sfida kryesore është kalimi nga konkurrenca përmes normave tatimore, tek konkurrenca përmes cilësisë së institucioneve dhe politikave zhvillimore inteligjente, të cilat qeverisja e papërgjegjshme e Ramës është e paaftë t’i sigurojë. Pa këtë transformim, ekziston rreziku real i humbjes së fleksibilitetit të politikave fiskale lehtësuese, pa kurrfarë kompensimi në terma tërheqjeje investimesh dhe rritjeje ekonomike.
V.O. Diskutim i pergatitur per ne Kuvend , por qe nuk u mundesua ne seancen e ditës së enjte , 23 prill 2026.







