Sali Berisha ka folur sot në lidhje me zgjedhjet për kreun e PD, ku pas përjashtimeve të kandidaturave, është i vetmi në këtë garë brenda partisë.
Ai tha se nuk mund të garojnë për kryetar partie ata që e kanë tradhtuar partinë dhe kanë bashkëpunuar me kundërshtarët politik.
U pyet dhe për garën në PD, ku Berisha garon i vetëm. Thumboi dhe Salianjin, duke thënë se hante dreka e darka me kriminelë.
“Mos bini pre e propagandës të atyre, që prej 2009 nuk bëjnë zgjedhje në parti. Partia Demokratike e zgjedh kryetarin direkt me votën e anëtarësisë. Në garë në këtë parti pranohen të gjithë demokratët, që plotësojnë kriteret në rregullore, për të marrë pjesë në këtë garë. Në garën e PD-së nuk mund të marrin pjesë kandidatët e Ramës. Kandidatë, që punuan në fushatë me parti tjetër, këta në çdo parti politike në botë, përjashtohen për tradhtinë që kanë bërë ndaj partisë së tyre në fushë-betejë. Çdo njeri që plotëson kriteret nuk është refuzuar. Nuk mund të kandidojë ai që shtronte dreka e darka me kriminelë, kur ne e bëmë hero”, u shpreh ai.
Salianji ishte një hero, nuk mund të them. Por se në burg ai e shiti veten. Hante dreka e darka me kriminelë të lidhur me Partinë Socialiste. Kurse zonjën Sela nuk e njoh, është hera e parë që ia dëgjoj emrin, por gara brenda partisë ka kritere“, u shpreh Berisha.
E akuzoi po ashtu Salianjin se ka lidhje me socialistët.
“Salianji i shërben Ramës. PD është ndarë në mënyrë përfundimtare me Edi Ramën dhe rrethin e tij kriminal. Dhe pikërisht me rrethin kriminal të Ramës, ka lidhje Salianji. Madje, Salianji shfaqet në TV shumë shpesh duke qenë në shërbim të vazhdueshëm të qeverisë”, deklaroi ai.
Tha se Rama e ndërtoi shtëpinë, në kohën që thoshte se jeton me qira.
“Rama thoshte se jetonte me qira ose kishte pasuri modeste. Por se ndërkohë, vetëm pigmenti i bojës së shtëpisë së Edi Ramës kushton 100 mijë euro. Lërë pastaj të tjerat që janë shpenzime të panumërta. Sapo një prokurore nisi hetim për pasurinë e Edi Ramës, ajo u shkarkua menjëherë. Pasuritë e Ramës nuk kanë të sosur”, deklaroi Berisha.







