Një aksident i rëndë rrugor i ndodhur më 27 prill në aksin Elbasan–Librazhd, pranë fshatit Xibrakë, i ka marrë jetën shtetasit kinez Li Jianhong dhe ka lënë të plagosur katër persona të tjerë.
Sipas të dhënave, dy automjete janë përplasur me njëra-tjetrën, ku si pasojë drejtuesi i njërit prej mjeteve, biznesmeni kinez Li Jianhong, ka humbur jetën në vendngjarje.
Për ngjarjen kanë raportuar edhe mediat kineze, të cilat zbulojnë se viktima ishte një sipërmarrës i njohur dhe themelues i “Xinjiang Grand Scape Group”, një kompani me aktivitet në fusha si telekomunikacioni, turizmi, investimet dhe menaxhimi i aseteve, me qarkullim miliona dollarësh dhe mijëra të punësuar.
Li Jianhong, i lindur në dhjetor të vitit 1965 në rajonin Xinjiang, kishte ndërtuar një karrierë të gjatë në biznes, duke u renditur mes kompanive më të mëdha private në Kinë. Ai ishte gjithashtu i njohur për investimet në projektin “Xinjiang International Grand Bazaar” dhe për krijimin e resortit të skive “Silkroad”, një nga më të mëdhenjtë në vend.
Përveç aktivitetit të tij në biznes, ai njihej edhe si sportist ekstrem, duke përfunduar sfida të njohura ndërkombëtare në alpinizëm, përfshirë ngjitjen e shtatë majave më të larta në botë dhe ekspedita në Polin e Veriut dhe Jugut.
Policia shqiptare po vijon hetimet për të zbardhur plotësisht shkaqet dhe rrethanat e aksidentit, ndërsa të plagosurit janë dërguar për trajtim mjekësor.
Ndrysho madhesinë







