Monika Kryemadhi: I kërkoj falje Ilir Metës, e lashë në shoqëri të gabuar. Votoj Erion Braçen për kryebashkiak
Monika Kryemadhi ka folur sot për jetën personale dhe politike në një intervistë televizive ku ka ndarë reflektime të forta për marrëdhënien me Ilir Meta, familjen dhe figurat e politikës shqiptare.
Gjatë intervistës në Top Channel, Kryemadhi u ndal te momentet e vështira të raportit të saj me Metën, duke komentuar edhe takimin e fundit të tij në seancë gjyqësore. Ajo tha se e sheh atë “si më parë nga ana mendore, të kthjellët dhe strateg”, ndërsa shtoi se mes tyre aktualisht nuk ka komunikim.
Ajo ka treguar sesi është ndjerë dhe çfarë ka menduar kur ka parë Ilir Metën pas kafazit të xhamtë në seancën e fundit të gjyqit të tyre.
“Nuk ishte hera e parë që e shikoja Ilirin… për mua është Iliri i para 10 viteve nga ana mendore, shumë i qartë, shumë i kthjellët politikisht, snajper. Unë që e njoh prej 33 vitesh, rrathët e syve i vijnë nga leximi i gjatë. Për mua ka një posturë të jashtëzakonshme. Ka një posturë sikur është 30 vjeç, i bie që ka bërë shumë ushtrime barku dhe shpine, ka ngrënë shëndetshëm. Kostumin ia kanë çuar numër më të madh… Unë me të kam zero komunikim dhe nuk pranon asgjë prej meje.
Ka mbaruar ndoshta dashuria. Mendoj se marrëdhënia jonë ka qenë në një moment vulnerabiliteti, edhe unë nuk kam qenë shumë e përgatitur. Atij i thanë që ajo ka të dashur, dhe doli që në fakt ishte Ilir Meta.
Shikoje si i shkëlqejnë sytë aty… Ai është babai i fëmijëve të mi. Respekti im për të është i palimtuar, sepse në fund të fundit unë jam kjo që jam për shkak të mundësisë që ai më dha, ai është strateg i diplomacisë shqiptare”, tha ajo.
Duke folur për marrëdhënien personale, ajo u shpreh se “dashuria ka përfunduar” dhe se raporti i tyre ka kaluar në një fazë të vështirë. Kryemadhi shtoi se Meta mbetet “babai i fëmijëve të saj” dhe se respekti për të është i pandryshuar, pavarësisht ndarjes në komunikim.
Një nga deklaratat më të forta të saj ishte kërkesa për falje ndaj Metës, duke theksuar se në momente të caktuara nuk ka qenë pranë tij kur ai kishte nevojë dhe se e ka “lënë në shoqëri të gabuar”.
Në të njëjtën intervistë, Kryemadhi u ndal edhe te politika, ku vlerësoi deputetin e Partisë Socialiste Erion Braçe, duke deklaruar se e konsideron “politikanin më të aftë sot” dhe se do ta votonte për kryetar bashkie.
Ajo komentoi gjithashtu figurat televizive me të cilat ka bashkëpunuar në “Big Brother”, duke vlerësuar pozitivisht moderatorët Ledion Liço dhe Arbër Hajdarin, të cilët i cilësoi si energji pozitive gjatë formatit.
Në fund të intervistës, Kryemadhi u shpreh se ndjen nevojë për t’u kërkuar falje fëmijëve të saj për mungesën e kohës dhe vëmendjes emocionale ndër vite, si dhe për momentet kur, sipas saj, nuk ka qenë e pranishme në situata të vështira familjare.







