Gati një në dy të rinj nga 11 deri në 25 vjeç në Europë ka përdorur chatbot-e me inteligjencë artificiale për të diskutuar çështje personale të ndjeshme, sipas një sondazh të ri.
Nga 3 mijë e 800 persona që morën pjesë në studimin e Ipsos BVA në Francë, Gjermani, Suedi dhe Irlandë, 51% thanë se është “e lehtë” të flasësh për probleme personale dhe të shëndetit mendor me chatbot-ët.
Vetëm 49% thanë të njëjtën gjë për profesionistët e shëndetësisë dhe vetëm 37% për psikologët.
Megjithatë, njerëzit e afërt mbeten burimi kryesor i mbështetjes, me 68% të pjesëmarrësve që thonë se është e lehtë të flasin për çështje personale me miqtë dhe 61% me prindërit.
Studimi, i realizuar për llogari të autoritetit francez për mbrojtjen e të dhënave personale CNIL dhe grupit të sigurimeve Groupe VYV, shton shqetësimet për shëndetin mendor të të rinjve, pasi rreth 28% e të anketuarve duket se përmbushin kriteret diagnostike për çrregullim ankthi të përgjithësuar.
Rreth 90% e të rinjve thanë se përdorin mjete të inteligjencës artificiale, pjesërisht për shkak të disponueshmërisë së tyre të vazhdueshme dhe sjelljes jo-gjykuese. Më shumë se tre në pesë e përshkruan IA si “këshilltar jete” ose si “të besuar”.
Megjithatë, vitin e fundit janë shtuar shqetësimet për ndikimet psikologjike të mjeteve të IA, me ekspertët që paralajmërojnë se chatbot-ët kanë kufizime në dallimin e emocioneve njerëzore dhe në ofrimin e mbështetjes emocionale të sigurt.
Vitin e kaluar, një çift në Kaliforni ngriti padi kundër OpenAI, duke pretenduar se ChatGPT kishte nxitur djalin e tyre të kryente vetëvrasje.







