Shtetet e Bashkuara janë në pritje të përgjigjes së Iranit ndaj propozimit të fundit amerikan për paqe, ndërsa armëpushimi i brishtë mes palëve vijon të mbahet në fuqi.
Presidenti amerikan, Donald Trump, deklaroi se pret “shumë shpejt” një reagim nga Teherani për draftin që synon t’i japë fund luftës dhe të hapë rrugën e negociatave më të detajuara.
Gjatë ditës së shtunë, Trump ndoqi Turneun e Golfit në Virxhinia, ndërsa në rrjetin e tij social Truth Social publikoi një sërë postimesh që alternonin mes zhvillimeve politike dhe mesazheve personale. Në dy foto të krijuara me inteligjencë artificiale, shfaqen anije të fundosura që i adresohen flotës detare të Iranit, ndërsa në tjetrën shfaqet Trump që sheh me dylbi anije që shpërthejnë në det me mesazhin se “kjo është ajo që e pret Iranin nëse nuk pranon marrëveshje”.

Presidenti amerikan riktheu sulmet ndaj ish-drejtorit të FBI-së, James Comey, i cili do të dalë në gjyq më 15 korrik. “A ka njeri që e beson këtë polic të pistë”, ishte komenti ndaj tij.
Në të njëjtën kohë, diplomacia amerikane ka intensifikuar kontaktet për të garantuar arritjen e një marrëveshjeje. Sipas raportimeve të Axios, Sekretari amerikan i Shtetit, Marco Rubio, dhe i dërguari i Shtëpisë së Bardhë, Steve Witkoff, zhvilluan një takim në Miami me kryeministrin e Katarit, Mohammed bin Abdulrahman Al Thani.
Katari po luan një rol kyç ndërmjetësues mes Uashingtonit dhe Teheranit, në përpjekje për të shmangur përshkallëzimin e mëtejshëm të konfliktit dhe për të garantuar vijimin e armëpushimit.
Burime të njohura me negociatat bëjnë me dije se SHBA-ja dhe Irani po diskutojnë një memorandum paraprak që do të shërbente si bazë për një marrëveshje më të gjerë politike dhe ushtarake. Dokumenti synon jo vetëm ndalimin e përplasjeve, por edhe krijimin e një kuadri të qëndrueshëm negociatash për normalizimin e situatës në rajon.







