Një ngjarje e rëndë është regjistruar mbrëmjen e kaluar në qarkun e Lezhës, ku është dhunuar një ish-kryetar lokal i Partisë Demokratike në njësinë administrative Dajç, në Zadrimë.
Viktima është 53-vjeçari Sokol Toma, i cili është goditur rëndë dhe është transportuar me urgjencë drejt Spitalit të Traumës në Tiranë për trajtim të specializuar.
Sipas të dhënave paraprake, ngjarja ka ndodhur rreth orës 22:00, në zonën e Sanxhakut, përgjatë aksit Mamurras–Laç.
Dyshohet se persona ende të paidentifikuar e kanë sulmuar duke e goditur me sende të forta dhe më pas janë larguar nga vendngjarja.
Burime spitalore bëjnë me dije se 53-vjeçari ka pësuar dëmtime serioze, përfshirë fraktura në këmbë dhe plagë të rënda në trup. Ai ndodhet i shtruar në pavijonin e ortopedisë.
Gjithashtu, autorët i kanë marrë edhe telefonin celular gjatë sulmit.
Policia ka nisur hetimet për zbardhjen e plotë të ngjarjes, identifikimin dhe kapjen e autorëve. Deri tani, motivet e dhunës mbeten të paqarta.







