Presidenti francez Emmanuel Macron deklaroi se Franca nuk ka marrë asnjëherë në shqyrtim vendosjen e forcave detare në Ngushticën e Hormuzit, mes tensioneve në rritje në Lindjen e Mesme.
Deklarata u bë nga Nairobi i Kenias, pas paralajmërimeve të Iranit ndaj Francës dhe Britanisë për çdo prani të mundshme ushtarake në zonë.
Macron kërkon zgjidhje të koordinuar ndërkombëtare
Macron theksoi se Parisi mbështet një qasje të koordinuar ndërkombëtare për sigurinë e lundrimit në rajon, ku sipas tij duhet të përfshihet edhe Irani.
Ai shtoi se Franca kundërshton çdo bllokim të Ngushticës së Hormuzit, pavarësisht nëse vjen nga SHBA apo Irani.
Kundër tarifave dhe kufizimeve në lundrim
Presidenti francez deklaroi gjithashtu se Franca është kundër vendosjes së tarifave apo pagesave për kalimin e anijeve në këtë korridor strategjik detar.
Sipas tij, duhet të garantohet liria e lundrimit dhe funksionimi normal i transportit ndërkombëtar.
“Nuk ka plan për dislokim ushtarak”
“Nuk ka pasur asnjëherë çështje për vendosje forcash, por ne jemi të gatshëm”, u shpreh Macron.
Ai bëri të ditur se Franca dhe Britania kanë ndihmuar në krijimin e një misioni të përbashkët me rreth 50 vende dhe organizata ndërkombëtare, me synim forcimin e sigurisë detare në rajon.
Tensionet në Hormuz mbeten të larta
Deklaratat e Macron vijnë pasi Teherani paralajmëroi për “përgjigje të menjëhershme dhe vendimtare” ndaj çdo pranie ushtarake franceze apo britanike në Ngushticën e Hormuzit, një nga rrugët më të rëndësishme për transportin global të naftës.







