Vatra e hantavirusit e zbuluar në anijen turistike “Mv Hondius”, që ka shkaktuar raste të dyshuara infektimi dhe viktima, prej ditësh ka rikthyer vëmendjen te ky virus, i aftë të transmetohet nga brejtësit te njerëzit.
Gjashtë vite pas nisjes së pandemisë Covid-19, lajmet për përhapjen e tij kanë rizgjuar frikëra dhe plagë që ende nuk janë mbyllur plotësisht në opinionin publik.
Megjithatë, hantavirusi nuk është një fenomen i ri. Ai ishte në qendër të vëmendjes botërore edhe një vit më parë, gjatë dimrit të vitit 2025, kur u lidh me vdekjen e aktorit fitues të çmimit Oscar, Gene Hackman, 95 vjeç, dhe bashkëshortes së tij Betsy Arakawa, 65 vjeçe. Çifti u gjet i mumifikuar në vilën e tyre në Santa Fe, në shtetin amerikan të New Mexico.
Sipas hetimeve mjeko-ligjore, Arakawa kishte ndërruar jetë më 11 shkurt 2025 nga një sindromë pulmonare e shkaktuar nga një infeksion i rëndë respirator pas kontaktit me brejtës të infektuar me hantavirus. Ndërsa aktori i njohur besohet se humbi jetën disa ditë më vonë si pasojë e insuficiencës kardiake, të rënduar nga Alzheimeri në fazë të avancuar.
Pamjet e publikuara nga kamerat trupore të policisë zbuluan edhe një detaj që ndihmoi në lidhjen e rastit me virusin, prania e shumtë e brejtësve në pronën e çiftit.
Një tjetër rast i njohur daton në vitin 2012 dhe përfshin trajnerin austriak Ralph Hasenhuttl, i cili fatmirësisht arriti ta mposhtë virusin.
Sipas rrëfimit të vetë Hasenhuttl, ai ishte infektuar papritur ndërsa po pastronte tarracën e shtëpisë së tij. Simptomat e rënda u shfaqën menjëherë më pas.
“Të ngrihesha nga shtrati ishte një sforco e jashtëzakonshme, frymëmarrja më dukej e pamundur. Kisha dhimbje në të gjithë trupin dhe një lodhje që nuk e kisha provuar kurrë më parë”, ka treguar trajneri, duke shtuar se kishte pasur frikë për jetën.
Për fat të mirë, në rastin e tij ndërhyrja e shpejtë e mjekëve rezultoi vendimtare.
“Ndihma e tyre ishte thelbësore. Pa mbështetjen e vazhdueshme të tyre nuk e di si do t’ia kisha dalë”, është shprehur ai.







