Kryeministri Edi Rama dekoroi me “Yllin e Oficerit të Urdhrit Suprem të Shqiponjë”, violinistin Tedi Papavrami, në emër të presidentit Begaj.
Rama në fjalën e tij me këtë rast, vlerësoi Papavramin jo vetëm për karrierën e tij artistike të gjatë, por edhe për atë që e quajti “njerzillëkun e tij”.
Rama theksoi se suksesi i Tedit ka qëndruar gjithmonë te modestia e tij, si dhe paepshmëria e tij përballë sfidave.
Rama: Në një ditë jashtë së zakonshmes. Dhe duhet thënë se në përpjestim të drejtë me modestinë e tij të mrekullueshme dhe përtej talentit të tij, Tedi është edhe me fat.
Jam veçanërisht i lumtur që ky dekorim me urdhrin më të lartë të Republikës, edhe [pse është dhënë qysh në dhjetorin e shkuar, materializohet sot më 11 maj. Dhe kjo ceremoni bashkohet kështu si me një rastësi vargu ngjarjeje kulturore që kremtojnë javën. Javë që për ne shqiptarët ka gjithnjë e më shumë peshë të veçantë për faktin se tanimë Europa nuk është më një horizont i ëndërruar por një majë e prekshme me sy. Më familjar në përmasë dhe shumë më intim në formë për vetë natyrën e eventit, falë Tedit kemi sot jo thjesht këtu, por në Tiranë tharmin e Europës, ashtu siç e kemi ëndërruar gjithmonë, qytetërim i lartë, urtësi e moçme. Dua ti them Tedit faleminderit që shkoi në Europë, si një shqiptar i bukur, kur për Europën shqiptarët ishin njerëz me bisht. Faleminderit Europës por edhe Japonisë që na sollën Tedin në Shqipëri këtë javë. Kjo do të jetë një kujtim i bukur europian, siç do kishte thënë me elegancën e tij të pashoqe dhe me theks shumë të lartë shenjti pajtor i përkthyesve Jusuf Vrioni. Po të ishin sot mes nesh qoftë ai, qoftë Kadareja, të dy do e kishin shijuar këtë nderim. Ti je rojtar i trashëgimisë, dhe era e bashkëkohësisë. Kur përmenda fatin, shtoj që kjo ndodh në vigjiljen e gjatë të ditëlindjes tënde kur ke ardhur ti dhurosh Shqipërisë, një nga përpjekjet më mbresëlënëse për tu kthyer në shfaqje të paharrueshme interpretimin në TKOB, por të nderohesh prej tyre si një bashkëkohës. Në këtë vend janë dhënë dekorata për ditëlindje, mortje, dasma, koncerte edhe për arsye që vetë arsyeja ka humbur rrugës, por kjo e jotja nuk është ajo histori. Ti që jeton në Francë, prej shumë vitesh, e di çdo të thotë të bëhesh pjesë e një urdhri dhe të vishesh me kalorësinë e Republikës. E ke stërmerituar. Por ishte Shqipëria që deri shumë pak kohë më parë, nuk e kishte këtë urdhër. Të cilin ne e rilindëm, si një urdhër suprem 100-vjeçar të Shqiponjës, ishte dëshira dhe detyrimi im, pastaj dhe i presidentit. Që ti të renditeshe në të parët e kalorësit e këtij urdhri për virtuozitetin tënd. Por unë them edhe për larminë pjellore të angazhimit tënd intelektual njerëzor, shoqëror, maksimalisht dinjitoz.
Njeri shembullor, gjëja që duhet ta prekte gjithkush që ëndërron madhështinë në skenë apo në çdo skenë dhe që duke e prekur do mësonte se madhështia nuk e përjashton por e ngre ende më lart, pikërisht atë që të karakterizon, njerzillëkun dhe modestinë e rrallë.
Ky urdhër është për Tedin përkthyes, krijues, aktor, për Tedin kërkues, për Tedin shqiptarin e Europës dhe botës. Është për ata që preket nga kontrastet e vendit të prejardhjes. Tedi është një muzikant njeri, nuk është një njeri muzikant. Më kujton tërësisht Tedin ajo që Bahu thotë: madhështia nuk qëndron te objekti, por fryma.
Tedi përtej të gjithave që e kanë bërë atë që është si person, me individin është mbi të gjitha ato një dashurues i paepur i rrallë, është një humbës i madh, qoftë një ngadhënjimtar i përjetshëm. Pa këtë pjesë arti i tij do ishte shumë pak për ta nderuar. Nëse përsëri do merrja një fjalë hua, zgjodha të merrja fjalët e Shën Palit: Po të flisja gjuhët e njerëzve dhe të mos kisha dashur do bëhesha si bronz që kumbon, apo si cimbali që tingëllon. Është dashuria që Tedi ka, e ka me shumicë, ajo që pastaj e bën violinën e tij të luajë vet. Dhe i bën marrëdhëniet e njerëzve me të, që të ruhen vetë. Dua ta mbyll duke thënë që e konsideroj veten me fat që të njoh, edhe që të kam njohur që të vogël dhe të kam parë të rritesh kokëfortë, këmbëngulës, i paepur dhe jam përpjekur ta gjej fjalën shqip për ti përmbledhur të gjitha, më e afërta ishte italisht: Ostinato. Jeta jote nuk është karrierë artistike, por një arrati e synuar për dashuri. Siç do thoshte Lasgushi dashuri për llahtari.







