Këngëtari i njohur Justin Timberlake ka bërë një postim emocional në rrjetet sociale me rastin e Ditës së Nënës, duke nderuar bashkëshorten e tij, aktoren Jessica Biel, pavarësisht raportimeve të fundit për probleme në martesën e tyre.
Në një postim të publikuar të dielën, më 10 maj, në Instagram, Timberlake ndau fotografi familjare me Biel dhe fëmijët e tyre, si edhe një imazh me nënën e tij. Në përshkrimin e postimit ai shkroi: “Gratë më të rëndësishme që njoh. Gëzuar Ditën e Nënës”.
Në foton kryesore, çifti shfaqej së bashku me dy djemtë e tyre, ndërsa artisti publikoi edhe një selfie me bashkëshorten dhe një fotografi të vjetër me nënën e tij.
Ky postim vjen rreth dy javë pas raportimeve në media që pretendonin për tensione në çift, pas një incidenti të Timberlake në vitin 2024 për drejtim mjeti nën ndikimin e alkoolit. Çështja u rikthye në vëmendje edhe në mars, kur u publikua një video e arrestimit të tij.
Sipas mediave ndërkombëtare, përfshirë “Daily Mail”, burime pranë çiftit kanë thënë se Biel është përballur me presion dhe lodhje nga situata publike, ndërsa raportohet se ajo ka ndierë ekspozim të madh mediatik.
Megjithatë, sipas “Page Six”, çifti po përpiqet të kalojë vështirësitë në marrëdhënien e tyre. Burime pranë tyre kanë theksuar se, ndonëse kanë kaluar një periudhë të vështirë, ata “nuk janë aspak pranë një ndarjeje”.







