Deputeti i PS-së, Erion Braçe, ka komentuar për herë të parë publikisht debatet mes kryeministrit Edi Rama dhe deputetes Elisa Spiropali, e cila i ka dalë hapur kundër kryesocialistit dhe e ka sfiduar që ta përjashtojë.
I ftuar në Euronews Albania, Braçe tha se Spiropali nuk duhet të përjashtohet, pasi sipas tij ajo ka folur për gjëra normale.
“Pse duhet të përjashtohet zonja Spiropali? Nuk e kuptoj pse duhet të kërkohet përjashtimi i saj. Këto janë gjëra normale në këndvështrimin tim. Kë shqetëson këndvështrimi im? Në qoftë se janë të shqetësuar për urdhra, hajde ta diskutojmë këtë gjë”, tha ai.
Më tej, deputeti socialist u shpreh se problemi i vërtetë i qeverisë është personalizimi i pushtetit, teksa shtoi se ka deputetë-ministra që kanë në dorë hierarkinë e shtetit.
“Për shembull, personalizimi i pushtetit është një gjë që e vuan qeverisja. E ka vuajtur qeveria e mëparshme dhe e vuan edhe qeveria e tanishme. Ministrokracinë dhe drejtorokracinë, patjetër që e vuan qeverisja. E vuajmë edhe ne deputetët, sepse është një element i pabarazisë mes atyre që janë ministra dhe deputetë, që kanë gjithë hierarkinë e shtetit në varësinë e tyre, dhe ne të tjerëve që nuk kemi asgjë. Po e vuajmë, sepse është një element pabarazie brenda PS-së”, deklaroi ai.
Ndërsa, lidhur me deklaratat e Ramës se Spiropali është “investimi” i tij, Braçe tha se kjo është një marrëdhënie mes tyre dhe një temë debati personale.
“Kjo është marrëdhënie mes të dyve. Nëse zonja e pranon këtë gjë dhe kryeministri e pranon këtë gjë, atëherë është një marrëdhënie mes të dyve. Është çështja e tyre. Por ajo që dua të them është se ne të gjithë jemi investime të Partisë Socialiste dhe jemi deficitarë ndaj saj”, u shpreh Braçe.







