HomeKronikeSPAK dërgon në gjyq kartelin shqiptaro-italian të kokainës, emrat e 24 të...

SPAK dërgon në gjyq kartelin shqiptaro-italian të kokainës, emrat e 24 të akuzuarëve

Advertismentspot_img

Prokuroria e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (SPAK) ka përmbyllur një nga mega-operacionet më të rëndësishme kundër krimit të organizuar, duke dërguar për gjykim 24 persona të përfshirë në trafikun ndërkombëtar të kokainës dhe pastrimin e parave.

Dosja voluminoze, e regjistruar si procedimi penal nr.36 i vitit 2019, i ka kaluar tashmë Gjykatës së Posaçme (GJKKO) dhe zbardh skemën e plotë të një rrjeti që operonte nga Amerika e Jugut deri në portet kryesore të Evropës.

Skuadra e përbashkët dhe skema e trafikut

Suksesi i këtij operacioni u garantua përmes një Skuadre të Përbashkët Hetimore me Prokurorinë Distrektuale Antimafia në Bari, Itali. Rrjeti, i përbërë kryesisht nga shtetas shqiptarë dhe italianë, e kishte bazën organizative në Shqipëri, por vepronte me degëzime të fuqishme në territorin italian.

Sipas dosjes hetimore të referuar nga SPAK, komunikimet mes anëtarëve të rrjetit kryheshin përmes platformës së enkriptuar SkyECC.

“Grupi kriminal organizonte importimin dhe shpërndarjen e sasive të mëdha të kokainës nga Amerika e Jugut me destinacion vendet e Bashkimit Evropian. Për të shmangur gjurmimin dhe detyrimet ligjore, të ardhurat nga trafiku transportoheshin fizikisht përmes shoferëve të autobusëve të linjave ndërkombëtare të pasagjerëve,” citohet në njoftimin zyrtar të Prokurorisë së Posaçme.

Bilanci i operacionit, 3 ton drogë dhe 4 milionë euro cash

Gjatë periudhës së hetimeve, autoritetet kanë arritur të godasin rrjetin në disa faza, duke kapur sasi kolosale lënde narkotike në vende të ndryshme të Evropës, si dhe shuma të mëdha parash të gatshme.

Sekuestrimet kryesore të narkotikëve përfshijnë:

Holandë- 2020 kg kokainë e kapur në Roterdam.

Itali (Kalabri)- 932 kg kokainë e sekuestruar në Reggio Calabria (nëntor 2021).

Itali (vende të tjera)- Dhjetëra kilogramë kokainë të kapura në Veneto, Bari, Perugia dhe Gravina gjatë viteve 2020-2021.

Kanabis- 675 kg hashash dhe marijuanë të sekuestruara në Bari dhe Rimini.

Paralelisht me lëndën narkotike, autoritetet kanë gjetur dhe sekuestruar mbi 4 milionë euro cash, para të cilat ishin produkt i drejtpërdrejtë i shitjes së drogës.

Goditja e pasurive, 12 milionë euro të bllokuara në Durrës

Hetimi nuk u mbyll vetëm me goditjen e trafikut, por u shtri edhe te gjurmimi i aseteve përmes procedimit pasuror nr. 10/2025. Pasi u verifikuan 52 subjekte, me kërkesë të SPAK, GJKKO vendosi sekuestrimin e një portofoli pasurish të paluajtshme me vlerë të përllogaritur rreth 12 milionë euro, të përqendruara kryesisht në qytetin e Durrësit, zonën e Plazhit dhe në Currila.

Pasuritë e sekuestruara përfshijnë:

Në emër të E.Z dhe K.J- Truall dhe ndërtesë (mbi 500 m2) ku ushtron aktivitet shoqëria “Marquess”.

Në emër të N.Sh dhe “Majestic Konstruksion sh.p.k.”- Një kompleks asetesh prej 8 njësish tregtare dhe ndërtesash me sipërfaqe qindra metra katrorë secila, të ndodhura në zonën kadastrale 8518 dhe në Plazh/13, Durrës.

Në emër të E.D dhe H.D- Gjashtë njësi tregtare në Durrës, me sipërfaqe të ndryshme nga 20 m2 deri në 197 m2.

Në emër të B.D dhe D.D- Katër pasuri të mëdha në zonën e Currilave, përfshirë një truall prej 867.13 m2 me ndërtesë 300 m2.

Të Pandehurit dhe akuzat

Të 24 të pandehurit do të përballen me drejtësinë të ndarë sipas roleve të tyre në këtë organizatë kriminale. Akuzat bazohen në Kodin Penal të Republikës së Shqipërisë, me theks te nenet për “Trafikim të narkotikëve”, “Pastrim të produkteve të veprës penale” dhe “Grup i strukturuar kriminal”.

Të akuzuar për trafikim, pastrim parash dhe grup kriminal:

Elvis Doçi, Olgert Shqevi dhe Indrit Tafili.

Të akuzuar për trafikim narkotikësh në kuadër të grupit kriminal:

Artan Sulejmani, Nexhmedin Danaj, Orges Molla, Sueld Elezi, Genti (Ekil) Nderjaku, Hasan Nderjaku, Altin Morina, Emri Hysenaj, Artur Shkoza, Sokol Isteri (Tatani), Ervin Zeqiri, Gëzim Thartori, Ledio Bardhi dhe Juxhin Drazhi.

Të akuzuar për pastrim parash në kuadër të grupit kriminal:

Erind Lasku, Musa Korça, Alfred Hysa, Ligor Çombashi, Rando Aliu, Altin Pjetri dhe Edmond Çupi.

Me kalimin e dosjes në gjykatë, pritet nisja e seancave paraprake për një nga proceset më të mëdha të drejtësisë së re kundër karteleve të drogës që kanë investuar të ardhurat e tyre në sektorin e ndërtimit dhe pasurive të paluajtshme në vend.

Advertismentspot_imgspot_imgspot_imgspot_img
spot_img
RELATED ARTICLES
- Advertisment -spot_img
- Advertisment -spot_img

Most Popular