Një incident i rëndë ka tronditur këtë të enjte politikën në Kosovë, pasi është dhunuar zv.ministri në detyrë i Financave, Hysni Mehani.
Incidenti ka ndodhur në Skënderaj, ku Mehani drejton degën e Lëvizjes Vetëvendosje. Në një postim në rrjetet sociale, VV ka ndarë një foto ku shihet zv.ministri me dëmtime në fytyrë.
“Lëvizja VETËVENDOSJE! dënon ashpër këtë sulm fizik, por njëkohësisht u tregon gjithë këtyre se nuk mund ta trembin as ta frikësojnë asnjë aktivistë të Lëvizjes VETËVENDOSJE! e qytetar të Republikës”, ka shkruar VV krahas fotos.

Ngjarja ka ndodhur në një lokal në qendër të qytetit, ku Mehani ka patur një përplasje me kryetarin e komunës së Skënderajt, Sami Lushtakun.
Sipas VV-së, Hysni Mehani është goditur me grusht, ndërsa më pas edhe me gotë në kokë. Mehani raportohet se ka kërkuar ndihmë mjekësore, teksa ende nuk dihet motivi i sherrit mes tyre.

REAGIMET NGA POLITIKA
Pas lajmeve për incidentin e ndodhur, ka patur një sërë reagimesh nga politika në Kosovë, duke filluar nga kryeministri Albin Kurti.
“Hysni Mehani u sulmua me grushte dhe u godit në kokë me gotë teksa po pinte kafe me deputeten Arjeta Fejza dhe aktivistët tjerë. Qeveria e Kosovës e dënon këtë sulm qyqar e të papranueshëm që e shpërfaq mendësinë banditeske. Veprimet e tilla nuk na trembin e nuk na shtyjnë të tërhiqemi nga gara politike në asnjë qytet. U bëjmë thirrje institucioneve dhe organeve të rendit e drejtësisë që me urgjencë të marrin veprimet e nevojshme ndaj përgjegjësve për këtë sulm”, tha Kurti.
Lidhur me këtë incident ka patur një reagim edhe nga ish-deputetja e PDK-së, Blerta Deliu-Kodra, e cila tha se dhuna nuk është zgjidhje, por njëkohësisht as provokimet, linçimet dhe akuzat sistematike nuk duhet të normalizohen në diskursin publik.
“Dhuna nuk është zgjidhje. Por as provokimet, linçimet dhe akuzat sistematike nuk janë. Sepse kur për vite të tëra instalohet gjuha e urrejtjes, e përçarjes dhe e dehumanizimit, pasojat nuk vonojnë. Njëra e sjell tjetrën. Gjithmonë kështu ka qenë. Prandaj, sot më shumë se kurrë, kemi nevojë për përmbajtje dhe respekt në diskursin publik. Për ndalim të gjuhës që prodhon konflikt, e jo për ushqim të saj”, shkroi Deliu-Kodra.
Edhe ushtruesja e detyrës së presidentes, Albulena Haxhiu, ka reaguar mbi ngjarjen, duke thënë se e dënon sulmin ndaj zëvendësministrit në detyrë të Financave.
Më tej, ajo shprehet se dhuna fizike në jetën publike është “cenim i drejtpërdrejtë i sigurisë së qytetarëve, i lirisë së veprimit politik dhe i vetë kulturës demokratike”.
“Mandati publik nuk është strehë për arrogancë, as mburojë për forcë fizike ndaj kundërshtarit politik.
Ftoj organet e rendit dhe institucionet përgjegjëse që të veprojnë menjëherë, me profesionalizëm dhe pa asnjë hezitim, në mënyrë që çdo person i përfshirë, të përballet me drejtësinë dhe të japë përgjegjësi para ligjit.”, shton ajo, ndërsa i uron shërim të shpejtë, Mehanit si dhe rikthim sa më të shpejtë në angazhimet e tij publike.
Po ashtu, Haxhiu u bën thirrje për përmbajtje, qetësi dhe besim në institucionet e Republikës, familjarëve, miqve dhe bashkëpunëtorëve të Mehanit, si dhe qytetarëve.







