Të gjithë tatimpaguesit që kanë realizuar të ardhura bruto mbi 14 mln lekë, që nuk kanë përfituar nga lehtësitë fiskale (nga përjashtimi apo reduktim tatimesh), nuk realizojnë projekte me koncesion, dhe nuk janë për ndjekje penale mund të nisin të aplikojnë për marrëveshjen e Paqes Fiskale apo rideklarimit të pasqyrave me 5%.
Në Fletoren Zyrtare është publikuar udhëzimi “Për procedurat e zbatimit të marrëveshjes së Paqes Fiskale”, i cili hyn menjëherë në fuqi.
Në udhëzim janë dhënë edhe shembuj se si do të llogariten vlera e kësteve për paragimin e tatimit për bizneset që do të firmosin marrëveshjen, por edhe për rideklarimin e pasqyrave.
Sipas shembullit të udhëzimit, mbi fitimin e vitit paraardhës, do të shtohet një marzh 18% në vitin pasardhës, dhe çdo fitim që kalon pragun prej 18% do të tatohet me 5%.
Referuar shembullit një biznes me fitim 2.8 milionë lekë, i shtohet një marzh prej 18% ose 504 milionë lekë vitin tjetër, duke e çuar fitimin në 3.4 milionë lekë, që tatohet me 15%. Ndërsa çdo lekë mbi këtë vlerë do tatohet me vetëm 5%. Për këtë biznes totali i kësteve do të jetë 495,600 lekë. Këstet janë të shpërdarë për periudhën prill 2027 deri mars 2028.
Afatet e aplikimit
Ashtu sicc është lajmëruar edhe më parë aplikimet do të bëhen online në e-Filing ku do të krijohet shërbimi “Aplikim për marrëveshjen e paqes fiskale”. Për të dyja rastet si për lidhjen e paqes fiskale dhe rideklarimit të pasqyrave tatimpaguesit duhet të plotësojnë online formularin.
Udhëzimi përcakton se applikimi për marrëveshjen e paqes fiskale duhet të dorëzohet brenda afatit për dorëzimin e deklaratës vjetore të të ardhurave të vitit paraardhës, pra brenda datës 31 mars të vitit për të cilin aplikohet marrëveshja.
Për vitin e parë tatimor të zbatimit, pra viti tatimor 2026, afati i aplikimit për lidhjen e marrëveshjes së paqes fiskale dhe nënshkrimi elektronik i saj nga tatimpaguesi përcaktohet me udhëzim/sqaruese të drejtorit të përgjithshëm të tatimeve, i cila do të njoftohet nëpërmjet kanaleve të komunikimit dhedotëpublikohetnëfaqenzyrtare të administratës tatimore.
Në modulin “Çështjet e mia”, në sistemin e-Filing krijohet shërbimi “Aplikim për marrëveshjen e paqes fiskale”. Formulari i aplikimit “Për lidhjen e marrëveshjes së paqes fiskale” pasqyrohet në shtojcën nr. 1, bashkëlidhur këtij udhëzimi. Pas aplikimit nga tatimpaguesi, në sistemin C@TS krijohet automatikisht një çështje tek rubrika “Çështjet e mia” në sistemin e-Filing.
Kur do të refuzohet aplikimi
Në rastet kur tatimpaguesi ka detyrime tatimore të papaguara ose të padeklaruara, çështja refuzohet automatikisht, duke dhënë arsyetimin përkatës.
Kriteret që do të verifikohen pas adminsiyrimikt të aplikimit
Pas pranimit të aplikimit udhëzimi përcakton se tatimpaguesi do t’I nënshtrohet një sërë verifikimesh ligjore, si:
a) Vërtetimin e lëshuar nga prokuroria e juridiksionit të përgjithshëm ku është i regjistruar tatimpaguesi, që vërteton se subjekti nuk është në proces procedimi penal për vepra penale në fushën tatimore.Ky vërtetim paraqitet për personin juridik, administratorët dhe pronarët përfitues, sipas parashikimeve të legjislacionit në fuqi për regjistrin e pronarëve përfitues;
b) Dëshmitë e penalitetit që vërteton se nuk janë dënuar me vendim gjyqësor të formës së prerë për vepra penale në fushën e tatimeve, pastrimit të produkteve të veprës penale ose fshehjes së të ardhurave, për personin juridik, administratorët dhe pronarët përfitues, sipas parashikimeve të legjislacionit në fuqi për regjistrin e pronarëve përfitues;
c) Vërtetimin nga Drejtoria e Apelimit Tatimor për ankimimet te Drejtoria e Apelimit Tatimor dhe Komisioni i Shqyrtimit të Apelimeve Tatimore, që nuk është në proces ankimimi administrativ;
ç) Vetëdeklarimin e tatimpaguesit që nuk realizon projekte koncesionare;
d) Vetëdeklarimin se në dijeninë e aplikuesit, ai nuk është në dijeni të ekzistencës së procedimeve, sipas germës “a” të këtij neni.
Hartimi i marrëveshjes
Sipas udhëzimimit edhe nënshkrimi i marrëveshjes do të bëhet online.
Në sistemi do të gjenerohet dokumenti “Marrëveshja e paqes fiskale”, duke përfshirë: a) fitimin e tatueshëm të vlerësuar, i cili llogaritet duke shtuar me 18% fitimin e tatueshëm të vitit të mëparshëm tatimor për të cilin hartohet marrëveshja; b) normën tatimore që aplikohet për fitimin e tatueshëm të vlerësuar dhe çdo fitim shtesë; c) përllogaritjen mbi bazën vjetore të llogaritjes së kësteve paraprake; ç) shpërndarjen e kësteve për periudhën e mbetur të vitit tatimor.
Në rast se tatimpaguesi në formularin e aplikimit të marrëveshjes, ka shprehur se do të kryejë edhe rideklarimin e pasqyrave financiare, Marrëveshja do të ketë të përfshirë edhe të drejtën për rideklarimin e elementeve të veçanta të aktiveve, të detyrimeve apo të kapitaleve të veta të pasqyrave financiare vjetore të shoqërisë, sipas normës së tatimit dhe procedurës së përcaktuar në këtë ligj.
Për rideklarimin e pasqyrave, tatimpaguesi plotëson dhe dorëzon formularin e aplikimit, sipas shtojcës 2 bashkëlidhur këtij udhëzimi.
Çfarë parashikon ligji i Marrëveshjes së Paqes Fiskale
Ligji “Për marrëveshjen e paqes Fiskale”, mundëson nënshkrimin e një marrëveshje mes biznesit të madh me të ardhura bruto mbi 14 mln lekë në vit dhe administratës tatimore për parapagimin e tatimfitimit.
Vullnetarisht në këtë marrëveshje me administratën tatimore, mund të hyjë çdo biznes i rregullt qoftë persona fizik apo entitet. Të përjashtuar nga e drejta për të hyrë në marrëveshje me administratën tatimore janë bizneset që ndaj tyre është hapur çështje penale për mashtrim apo evazion fiskal.
Gjatë kësaj marrëveshje me afat 1 vjeçar (me të drejta rinovimi deri 2 herë), biznesit me të ardhura bruto mbi 14 mln lekë në vit, do t’i llogaritet parapagimi i tatimit mbi një bazë të tatueshme të rritur.
Pra biznesi nuk do të parapaguajë një tatim të çfarëdoshëm, por që do të llogaritet mbi bazën e tatueshme e përbërë nga fitimi i tatueshëm i vitit të mëparshëm plus 18% rritje. Nëse fitimi i vërtetë në fund të vitit tejkalon kufirin (duke llogaritur fitimin e vitit të mëparshëm plus një marzh shtesë prej 18%), mbi këtë shtesë do të paguhet 5%.
Pra në thelb marrëveshja nuk e ndryshon normën e tatim fitimit që është 23% për bizneset me të ardhura neto mbi 14 mln lekë , por rrit bazën e tatueshme, pasi tatimi do të llogaritet mbi fitimin e vitit të kaluar plus një marzhi shtesë prej 18% . Vetëm për fitimin që tejkalon këtë nivel të vlerësuar, paguhet një tatim shtesë 5%.
Në këmbim, bizneset do të përfitojnë moskryerje të kontrolleve tatimore për periudhën e zbatimit të marrëveshjes.
Por bizneset që do të kërkojnë të hyjnë vullnetarisht në marrëveshje me administratën tatimore për parapagimin e tatimit dhe korrigjimin e pasqyrave financiare fillimisht do të duhet të dorëzojnë kërkesë online përmes platformës e-Filing.
Përveç parapagimit të tatimit kundrejt moskontrollit tatimor për 1 vit, bizneset e mëdha që do të lidhin marrëveshjen e Paqes Fiskale me administratën tatimore, gjithashtu do të kenë mundësinë të rideklarojnë pasqyrat financiare të 5 viteve të fundit, kundrejt tatimit 5%.
Tatimi 5% do të aplikohet për ndryshime të tilla si: rivlerësimi i gjendjes së parasë cash, fshirja e aktiveve apo detyrimeve fiktive, deklarimi i pasurive të pa treguara më parë, rideklarimi i fitimeve të mbartura dhe shpërndarja e tyre si dividentë.
Miratimi i ligjit është kundërshtuar nga institucionet ndërkombëtare, si FMN dhe nga Dhoma Amerikane e Tregtisë pasi rrezikon të nxisë pastrimin e parave.







