Me daljen e Udhëzimit të Ministrisë së Financave ka nisur zbatimi i Ligjit nr. 86/2025 për faljen dhe lehtësimin e detyrimeve edhe të taksave dhe tarifave vendore.
Bashkia e Tiranës, përmes Drejtorisë së Përgjithshme të Taksave dhe Tarifave vendore njofton qytetarët pronarë të njësive tregtare dhe bizneset, që rezultojnë debitorë për detyrimet vendore se mund të përfitojnë nga fshirja e plotë ose e pjesshme e detyrimeve, si dhe nga falja e gjobave dhe kamatëvonesave, sipas periudhës së krijimit të tyre.
Sipas përcaktimeve të ligjit, detyrimet që i përkasin periudhës deri më 31 Dhjetor 2014 fshihen plotësisht, pa kryer asnjë pagesë dhe pa pasur nevojë për asnjë veprim nga ana e taksapaguesit vendor.
Për detyrimet e periudhës 1 Janar 2015 – 31 Dhjetor 2019, parashikohen dy alternativa për përfitim:
-pagesa e 50% të principalit deri më 30 Qershor 2026, me faljen e pjesës tjetër,
-ose pagesa e 75% të principalit deri më 31 Dhjetor 2026, me faljen e pjesës së mbetur.
Në të dy rastet falen të gjitha gjobat dhe kamatëvonesat.
Gjithashtu, në rastet kur principali është paguar më herët dhe kanë mbetur vetëm gjoba apo kamatëvonesa, edhe këto detyrime falen.
Për detyrimet e krijuara në periudhën 1 Janar 2020 – 31 Dhjetor 2024 kërkohet pagesa e plotë e principalit deri më 31 Dhjetor 2026. Pas kryerjes së pagesës, falen gjobat dhe kamatëvonesat.
Drejtoria e Përgjithshme e Taksave dhe Tarifave Vendore u bën thirrje qytetarëve dhe bizneseve që, gjatë kryerjes së pagesës, të specifikojnë me patjetër në përshkrim se pagesa po realizohet në bazë të ligjit të faljes.
Nga kjo falje përjashtohen subjektet që janë dënuar me vendim gjyqësor të formës së prerë ose janë në proces gjyqësor apo hetim penal për vepra në fushën tatimore dhe doganore.







