HomeRajoniProtesta për shqipen në Shkup, ministri i Drejtësisë kundër studentëve: Këto tema...

Protesta për shqipen në Shkup, ministri i Drejtësisë kundër studentëve: Këto tema përdoren për pikë politike, gjuha maqedonase është detyrim

Advertismentspot_img

Ministri i Drejtësisë i Maqedonisë së Veriut, Igor Filkov, ka reaguar ndaj protestave dhe debatit publik për kërkesat që provimi i jurisprudencës të jepet në gjuhën shqipe, duke i cilësuar ato si përpjekje për presion politik dhe nxitje të konfrontimit etnik.

Sipas tij, provimi i jurisprudencës nuk është çështje politike, por proces profesional i bazuar në ekspertizë dhe respekt për rendin juridik të shtetit. Filkov theksoi se përpjekjet për ta paraqitur përdorimin e gjuhës maqedonase si diskriminim janë “manipulim i rrezikshëm i opinionit publik” dhe, sipas tij, goditje ndaj rendit kushtetues,

Ai shtoi se gjuha maqedonase është gjuha zyrtare në gjithë territorin e vendit dhe themel i sistemit institucional dhe ligjor, duke e bërë, sipas tij, të papranueshme politizimin e kësaj çështjeje.

“Reagoj ashpër ndaj përpjekjes për ta shndërruar provimin e jurisprudencës në një fushë për presion politik dhe konfrontim etnik. Provimi i jurisprudencës nuk është çështje politike, por çështje ekspertize, profesionalizmi dhe respekti për rendin juridik të shtetit.

Përpjekjet për ta paraqitur detyrimin ligjor për të njohur gjuhën maqedonase si diskriminim janë manipulim i rrezikshëm i publikut dhe një goditje e drejtpërdrejtë ndaj rendit kushtetues. Gjuha maqedonase është gjuha zyrtare në të gjithë territorin e Republikës së Maqedonisë së Veriut dhe themeli i sistemit institucional dhe ligjor.

Është e papranueshme që temat e ndjeshme që ndikojnë drejtpërdrejt në sistemin juridik të përdoren për të fituar pikë politike ose për të krijuar tensione ndëretnike”, thuhet në reagim.

Filkov theksoi gjithashtu se provimi i jurisprudencës zhvillohet vetëm sipas ligjeve dhe standardeve profesionale në fuqi, dhe jo sipas presioneve politike apo protestave. Ai kujtoi se e drejta për protestë është demokratike, por nuk mund të shërbejë për ndryshimin e kritereve të sistemit gjyqësor.

Ministri u shpreh se Ministria e Drejtësisë mbetet e hapur për dialog institucional, por nuk do të lejojë, siç tha ai, cenimin e sistemit gjyqësor apo të rolit të gjuhës maqedonase në shtet.

“Provimi i jurisprudencës zhvillohet në përputhje me ligjet në fuqi dhe standardet profesionale, dhe jo sipas agjendave të përditshme politike ose presioneve nga rruga. E drejta për të protestuar është një e drejtë demokratike, por askush nuk ka të drejtë të kërkojë prishjen e kritereve dhe standardeve në gjyqësor përmes protestave të dhunshme.

Ministria e Drejtësisë mbetet e hapur për dialog të arsyeshëm institucional, por nuk do të lejojë zhvlerësimin e sistemit gjyqësor, as minimin e rolit të gjuhës maqedonase si shtyllë e shtetësisë dhe rendit institucional. Gjuha maqedonase nuk është pengesë është një detyrim, një vlerë kushtetuese dhe një garanci për funksionimin e shtetit”, thuhet në reagimin e Filkovit, sipas Portalb.mk.

Nga ana tjetër, BDI reagoi duke thënë se deklarata e VMRO-DPMNE-së se Qeveria po kërkon një “zgjidhje ligjore” për provimin e jurisprudencës, edhe pse në përputhje me Kushtetutën dhe rekomandimet e Komisionit të Venecias, paraqet edhe një përpjekje tjetër për anashkalimin dhe sabotimin e Ligjit për Përdorimin e Gjuhëve.

“Problemi nuk qëndron te mungesa e një zgjidhjeje ligjore. Zgjidhja tashmë ekziston në vetë Ligjin për Përdorimin e Gjuhëve, konkretisht në nenin 23, i cili qartë përcakton se të gjitha ligjet e tjera duhet të harmonizohen me këtë ligj brenda 12 muajve nga hyrja e tij në fuqi. Kjo do të thotë se nuk ka nevojë për “zgjidhje të re”, por vetëm për zbatim të ligjit ekzistues.

Çdo përpjekje për të kërkuar zgjidhje paralele ose alternative jashtë nenit 23 paraqet goditje direkte ndaj parimit të universalitetit të Ligjit për Gjuhët dhe tentativë që ai të reduktohet në zbatim selektiv dhe të kufizuar. BDI nuk do të lejojë asnjë interpretim apo ndërhyrje ligjore me të cilën Ligji për Përdorimin e Gjuhëve do të vihej në pozitë të nënshtruar ndaj ligjeve të tjera apo do të hapej rruga për zbatim selektiv të tij. Respektimi i Ligjit për Gjuhët nuk është çështje vullneti politik, por obligim kushtetues dhe ligjor”, thonë nga BDI.

Kujtojmë se, me thirrje e pankarta për mundësimin e mbajtjes së provimit të jurisprudencës në shqip përveç maqedonishtes, studentët shqiptarë protestuan dje në Shkup nga Ura e Gurit drejt Ministrisë së Drejtësisë.

Ata kërkuan që institucionet shtetërore ta zbatojnë Ligjin e gjuhëve dhe zëri i tyre të dëgjohet. Studentët u përballën me ndalesa nga policia ndërkaq në protestë u arrestuan tre persona.

Advertismentspot_imgspot_imgspot_imgspot_img
spot_img
RELATED ARTICLES
- Advertisment -spot_img
- Advertisment -spot_img

Most Popular