Shtëpia prestigjioze e ankandeve Christie’s arriti të shesë mbi 1.1 miliardë dollarë vepra arti brenda vetëm pak orësh, duke vendosur rekorde të reja për artistë si Jackson Pollock dhe Constantin Brancusi.
Vetëm pjesa e parë e ankandit, që përfshinte 16 vepra nga koleksioni privat i S. I. Newhouse, solli mbi 630 milionë dollarë për 40 minuta. Më pas, mbrëmja vazhdoi me shitje të tjera rekord, duke e çuar totalin në afro 1.1 miliardë dollarë.
Një nga momentet më të komentuara të mbrëmjes ishte skulptura “Danaïde” e Brancusit, e cila u shit për 107.6 milionë dollarë, duke thyer menjëherë rekordin e mëparshëm të artistit prej 71.2 milionë dollarësh.
Por vëmendje të madhe mori edhe fushata promovuese e ankandit, ku protagoniste ishte Nicole Kidman. Aktorja u shfaq në një video artistike të realizuar nga Christie’s, e frymëzuar nga filmat surrealistë të viteve ’30 të realizuar nga Man Ray. Në video, Kidman shfaqet pranë bustit të artë “Danaïde”, që konsiderohej një nga yjet e ankandit.
Në ankand u shitën gjithashtu vepra nga emra të mëdhenj si Pablo Picasso, Henri Matisse, Andy Warhol, Joan Miró dhe Mark Rothko.
Një tjetër rekord u vendos edhe për Rothkon, pasi një nga veprat e tij nga koleksioni i ish-presidentes së Museum of Modern Art, Agnes Gund, u shit për 98.4 milionë dollarë.
Ekspertët thonë se tregu i artit luksoz po përpiqet të rikthehet fuqishëm pas një periudhe pasigurie ekonomike dhe rënieje të shitjeve globale. Për këtë arsye, shtëpitë e ankandeve po fokusohen gjithnjë e më shumë te koleksionet private të miliarderëve dhe figurave të njohura, ku gjenden vepra të rralla që dalin shumë rrallë në treg.







