400 përfaqësues të industrisë së mikrofinancës, investitorë dhe ekspertë nga 36 vende të botës u bënë bashkë në Durrës, për të marrë pjesë në Konferencën e 28-të Vjetore të Qendrës së Mikrofinancës, me temë “Mikrofinanca në tranzicion: A është misioni në rrezik?”.
Konferenca u organizua për të diskutuar sfidat dhe transformimin e sektorit të mikrofinancës në një kohë kur zhvillimet teknologjike dhe ndryshimet ekonomike po ndikojnë ndjeshëm industrinë financiare.
Presidentja e Shoqatës se Mikrofinances Shqiptare, Arlinda Muja, u shpreh se ky është viti i dytë që konferenca organizohet në Shqipëri, duke e cilësuar këtë si një vlerësim për zhvillimin që ka njohur sektori në vend gjatë tre dekadave të fundit.
“Mikrofinanca në Shqipëri ka një zhvillim thelbësor, prej 30 vitesh ndihmon bizneset e vogla, individët për një mirëqenie më të mirë. Sot mikrofinanca është lideri i zhvillimit digjital në Shqipëri dhe po ndihmon jo vetëm në edukimin financiar, por edhe atë digjital shqiptar. Roli i mikrofinancës po njihet gjithnjë e më tepër nga komisioni europian dhe direktivat që po përafrohen do të kenë në fokus edhe mikronfinancën sepse roli i saj në Shqipëri është i rëndësishëm sepse përfaqësojmë 25% të kërkesave për Shqipëri”, Arlinda Muja, kryetarja e Shoqatës së Mikrofinancës Shqiptare.







