Për vite me radhë kemi besuar se plakja përcaktohet kryesisht nga gjenet tona. Por një studim i ri zbulon se procesi i saj nuk ndikohet vetëm nga trashëgimia.
Sipas gjetjeve, nuk ka rëndësi vetëm nga vini, por edhe vendi ku jetoni. Mjedisi përreth duket se mund të ndikojë në mënyrën se si trupi plaket.
Studimi, i publikuar në revistën Cell, u bazua në 322 persona nga kontinente të ndryshme. Pjesëmarrësit kishin prejardhje nga Evropa, Azia Lindore dhe Azia Jugore, por jetonin në vende të ndryshme të botës. Ky mozaik përvojash i lejoi shkencëtarët të ndanin, sa ishte e mundur, ndikimin e origjinës nga ndikimi i vendbanimit.
U analizuan proteinat, lipidet, metabolitët, treguesit e sistemit imunitar dhe mikrobioma e zorrëve, duke krijuar një “portret biologjik” të detajuar që pasqyron jo vetëm kush jemi, por edhe si jetojmë.
Plakja nuk ndikohet vetëm nga prejardhja
Sipas studiuesve, prejardhja vazhdon të ketë rol të rëndësishëm. Njerëzit me rrënjë të përbashkëta shfaqnin karakteristika të ngjashme në mikrobiomë, metabolizëm dhe funksionin imunitar, pavarësisht se ku jetonin.
Ata me prejardhje nga Azia Jugore, për shembull, shfaqnin vigjilencë më të lartë imunitare, ndërsa ata nga Azia Lindore kishin modele të ndryshme të metabolizmit të lipideve. Nga ana tjetër, pjesëmarrësit me prejardhje evropiane kishin mikrobiomë më të pasur.
Megjithatë, vendi i banimit rezultoi të ndikojë në moshën biologjike të pjesëmarrësve, pra sa “të vjetra” duken qelizat dhe indet, pavarësisht moshës kronologjike. Personat me prejardhje nga Azia Lindore që jetonin jashtë kësaj zone shfaqnin plakje biologjike më të shpejtë sesa ata që jetonin aty. Ndërsa evropianët që jetonin në Evropë kishin moshë biologjike më të avancuar krahasuar me ata që jetonin në Amerikën e Veriut.
Këto dallime nuk janë thjesht statistika. Ato pasqyrojnë ndërveprimin mes trupit dhe mjedisit, i cili mund të përshpejtojë ose ngadalësojë procesin e plakjes.
Mikrobioma në qendër të vëmendjes
Studiuesit vlerësojnë se ndryshimet e vërejtura nuk lidhen me një faktor të vetëm, por me një kombinim ndikimesh që shoqërojnë zhvendosjen në një mjedis të ri.
Ndryshimi i vendit shpesh sjell zakone të ndryshme, ritëm jetese të ndryshëm, ekspozim ndaj një mjedisi tjetër dhe cilësi të ndryshme të kujdesit shëndetësor. Të gjitha këto ndikojnë në mënyrën se si funksionon organizmi, përfshirë edhe mikrobiomën e zorrëve.
Mikrobioma, pra tërësia e mikroorganizmave që jetojnë në trupin tonë, u tregua një faktor kyç. Disa baktere u lidhën me ndryshime në sfingolipide, një kategori lipidesh që lidhet me gjenet që ndikojnë telomeret, skajet mbrojtëse të kromozomeve që shpesh lidhen me procesin e plakjes.
Plakja është një histori në zhvillim të vazhdueshëm
Studimi nuk thotë se një grup “plaket më mirë” se një tjetër. Përkundrazi, tregon se plakja nuk është një proces i njëjtë për të gjithë. Prejardhja dhe vendi i jetesës ndërveprojnë, duke krijuar rrugë të ndryshme biologjike.
Kjo do të thotë se mjekësia dhe ushqyerja nuk mund të bazohen në një model të vetëm. Ato duhet të përshtaten, duke marrë parasysh si origjinën etnike, ashtu edhe mjedisin ku jeton njeriu. Mjekësia e personalizuar nuk është më ide e së ardhmes, por një nevojë e së tashmes, theksojnë studiuesit.







