Numri i rasteve të dyshuara nga shpërthimi i Ebolës në Republikën Demokratike të Kongos vijon të rritet me ritme shqetësuese, duke arritur në të paktën 1,077 raste, sipas autoriteteve shëndetësore në Kinshasa.
Në buletinin më të fundit epidemiologjik të Ministrisë së Shëndetësisë bëhet e ditur se 121 raste janë konfirmuar në laborator, ndërsa deri tani janë regjistruar 17 viktima. Megjithatë, autoritetet pranojnë se bilanci real i vdekjeve mund të jetë shumë më i lartë për shkak të vonesave në diagnostikim.
Organizata Botërore e Shëndetësisë paralajmëron se përmasat e epidemisë mund të jenë edhe më të mëdha sesa raportimet zyrtare. Sipas OBSH-së, shpërthimi në provincën Ituri, pranë kufirit me Ugandën dhe Sudanin e Jugut, u identifikua vetëm disa javë pasi kishte nisur, ndërsa shumë raste të dyshuara nuk raportohen. Situata komplikohet edhe më shumë nga konfliktet e armatosura në rajon, të cilat pengojnë ndërhyrjen e ekipeve mjekësore.
Ndërkohë, në Ugandë janë konfirmuar shtatë raste të lidhura me epideminë në lindje të Kongos, si dhe një viktimë. Përballë rrezikut të përhapjes, autoritetet ugandase kanë vendosur mbylljen e kufirit me Republikën Demokratike të Kongos për të paktën një muaj.
Përjashtim do të bëhet vetëm për personelin shëndetësor, misionet humanitare dhe transportin e ndihmave ushqimore. Çdo person që hyn në Ugandë nga Kongoja do t’i nënshtrohet karantinës 21-ditore, që përkon me periudhën maksimale të inkubacionit të virusit.
Edhe Shtetet e Bashkuara ku Sekretari amerikan i Shtetit, Marco Rubio, deklaroi se Uashingtoni nuk do të lejojë “asnjë rast të vetëm” të Ebolës të hyjë në territorin amerikan. Mediat ndërkombëtare raportojnë se SHBA po shqyrton hapjen e një qendre karantine në Kenia për rastet e dyshuara, veçanërisht për shtetasit amerikanë që kërkojnë të largohen nga rajoni.
Ndërkohë, drejtori i përgjithshëm i OBSH-së, Tedros Adhanom Ghebreyesus, pritet të mbërrijë në Republikën Demokratike të Kongos për të koordinuar nga afër përgjigjen ndaj emergjencës shëndetësore.
Virusi Ebola përhapet përmes kontaktit të drejtpërdrejtë me persona të infektuar ose lëngje trupore dhe shkakton ethe hemorragjike vdekjeprurëse. Shpërthimi aktual lidhet me variantin më të rrallë Budibugio, për të cilin nuk ekziston ende vaksinë apo trajtim specifik. Ky variant ka një shkallë vdekshmërie që mund të arrijë deri në 50%.
Sipas OBSH-së, Ebola ka shkaktuar mbi 15 mijë viktima në Afrikë gjatë pesë dekadave të fundit. Epidemia më e rëndë në Republikën Demokratike të Kongos, mes viteve 2018-2020, mori jetën e afro 2,300 personave nga rreth 3,500 raste të regjistruara.







