Detaje të reja janë zbardhur nga plagosja me armë zjarri e 34-vjeçarit Juxhin Hamajezi, ngjarje e ndodhur në Tiranë, ku policia ka identifikuar dhe shpallur në kërkim tre persona të dyshuar.
Sipas burimeve hetimore, efektivë të Komisariatit Nr. 4 kanë shpallur në kërkim si autor të dyshuar Klodian Kallo, ndërsa si bashkëpunëtorë dyshohet të jenë Gjergji Lleshi dhe Lulzim Mejdani.
Hetimet paraprake sugjerojnë se ngjarja ka ardhur pas një konflikti të hershëm mes palëve, i lidhur me një automjet me vlerë rreth 30 mijë euro, që dyshohet se Hamajezi i kishte marrë Kallos pa shlyer pagesën.
Sipas policisë, Kallo dyshohet se ka shkuar në lokalin e 34-vjeçarit për t’i kërkuar paratë, ndërsa situata ka degraduar në përplasje fizike. Më pas, ai ka nxjerrë armën dhe ka qëlluar dy herë në drejtim të Hamajezit, duke e plagosur në këmbë.
I plagosuri rezulton person me precedentë penalë, i arrestuar më herët për trafik klandestinësh, ndërsa në vitin 2018 ka qenë objekt i një atentati të mbijetuar, kur është qëlluar me armë zjarri.
Pas ngjarjes, Hamajezi është marrë në pyetje nga grupi hetimor, por nuk ka pranuar të japë deklarime lidhur me rrethanat e konfliktit. Hetimet për kapjen e tre të shpallurve në kërkim vijojnë.







