Vajza e cila shfaqet në foto është shqiptarja 36-vjeçare Dila Ndoj që u vra ditën e djeshme nga bashkëjetuesi i saj Bashkim Gashi në Mal të Zi. 36-vjeçarja ishte me origjinë nga Balldreni i Lezhës. Sipas hetimeve paraprake të autoriteteve malazeze, pas krimit të dyshuar, 46-vjeçari i ka vënë flakën banesës ku jetonin në lagjen Kodër të Ulqinit, me dyshimin për të fshehur gjurmët e ngjarjes.
Trupi i pajetë i Dila Ndojt u gjet brenda banesës së përfshirë nga flakët, ndërsa Bashkim Gashi u arrestua më vonë me lëndime të marra nga zjarri. Autoritetet në Mal të Zi kanë nisur hetimet për zbardhjen e plotë të kësaj ngjarjeje të rëndë.
Lajmi ka shkaktuar dhimbje dhe tronditje te familjarët, të afërmit dhe banorët e Balldrenit, vendlindja e 36-vjeçares. Mësohet se ceremonia mortore pritet të zhvillohet në Lezhë, ku familja do të hapë dyert e mortit për të pritur ngushëllimet.







