Një ngjarje e rëndë ka ndodhur në qytetin e Adana, në Turqi, ku një ish-oficer policie dyshohet se ka vrarë djalin e tij pas një konflikti familjar.
Sipas mediave turke, ngjarja ndodhi rreth orës 11:30 në lagjen Gültepe të rrethit Sarëçam. Faruk Kayhan, 52 vjeç, u përfshi në një debat me djalin e tij, Ahmet Kaan Kayhan, 23 vjeç, i cili sipas raportimeve kishte probleme me varësinë nga droga.
Konflikti dyshohet se nisi pasi babai refuzoi t’i jepte para të birit. Gjatë përplasjes, i riu dyshohet se e sulmoi të atin me thikë. Në këto rrethana, 52-vjeçari nxori armën dhe qëlloi disa herë ndaj djalit, i cili humbi jetën në vend.
Pas ngjarjes, ish-polici telefonoi vetë autoritetet dhe qëndroi pranë trupit të viktimës deri në mbërritjen e policisë. Ekipet e urgjencës konfirmuan vdekjen e 23-vjeçarit, ndërsa trupi u dërgua për ekspertizë në Institutin e Mjekësisë Ligjore në Adana.
Autoritetet turke kanë nisur hetimet për të zbardhur plotësisht rrethanat e ngjarjes.







