Kupa e Botës pritet të sjellë një fluks të madh tifozësh në 16 qytete pritëse në Amerikën e Veriut dhe ky event global po detyron autoritetet e transportit dhe kompanitë private të rishikojnë kapacitetet e tyre, pasi pritet rritje e ndjeshme e trafikut ajror, rrugor dhe urban.
Në këtë kontekst, transporti me autobus po fiton gjithnjë e më shumë rëndësi, duke u kthyer në një alternativë të preferuar për mijëra pasagjerë që kërkojnë zgjidhje më ekonomike dhe më të thjeshta për udhëtime të gjata.
Në një terminal në Kaliforni, pasagjerët tregojnë se zgjedhja e autobusit lidhet kryesisht me kursimin e parave, por edhe me komoditetin që ofron udhëtimi pa stresin e drejtimit të automjetit apo kostot e larta të fluturimeve.
“Në fakt është kryesisht çështje çmimi. Nga këtu në Chico bileta kushton rreth 30 dollarë, ndërsa nëse do të udhëtoja me makinë, vetëm karburanti do më kushtonte rreth 100 dollarë, ndoshta edhe më shumë. Edhe avionët janë shumë të shtrenjtë. Kështu që autobusi është më ekonomik. Dhe është mirë, sepse thjesht ulem dhe nuk kam nevojë të drejtoj makinën”, u shpreh një pasagjer.
Kjo lloj lëvizjeje po bëhet gjithnjë e më e zakonshme, sidomos për të rinjtë dhe studentët.
Pasagjerë të tjerë theksojnë se udhëtimi me autobus nuk është vetëm çështje ekonomie, por edhe një mënyrë për të shijuar peizazhet dhe kohën e lirë gjatë rrugës.
“Kur mendova për herë të parë të marr autobusin, thashë me vete se kishte kaluar shumë kohë që nuk e kisha përdorur. U hezitova sepse distanca dukej e gjatë. Por pastaj mendova se është një mundësi për të pushuar. Nëse jam zgjuar, mund të shoh pamjet pa stres. Ishte një udhëtim shumë i këndshëm, mund të shihja gjirin gjatë rrugës dhe të shijoja gjithçka pa stresin e drejtimit të makinës”, pohoi një pasagjere.
Për shumë udhëtarë, koha e udhëtimit shfrytëzohet për relaks, lexim apo thjesht vëzhgim të peizazhit.
Ndërkohë, shoferët theksojnë se linjat e gjata ndërqytetëse ofrojnë edhe një përvojë të veçantë për pasagjerët, sidomos në rrugët që kalojnë përmes zonave malore dhe natyrore të SHBA-së.
“Gjatë udhëtimit me Greyhound mund të shihni shumë vende të bukura, gjithçka varet nga rruga që merrni. Thjesht sigurohuni të keni ushqime me vete, dhe nëse udhëtoni për 15 orë, është mirë të keni një jastëk dhe një batanije të vogël për të pushuar”, u shpreh pasagjerja tjetër 51-vjeçare.
Në qytete si Sacramento, Mount Shasta dhe më gjerë, autobusët ndërqytetës po luajnë rol të rëndësishëm në lidhjen e komuniteteve dhe në menaxhimin e distancave të mëdha, sidomos në një vend me përmasa si SHBA-ja, ku udhëtimet mes qyteteve shpesh zgjasin me orë të tëra.
“Po përdor Google Maps për të parë ku jam. Po shikoja malet dhe pyesja veten nëse është Mount Shasta, sepse nuk kam qenë kurrë kaq në veri. Po shoh peizazhin, pyjet e mëdha, lulet dhe rrugën gjatë udhëtimit. Thjesht e shijoj natyrën dhe gjithçka që shoh”, deklaroi sërish një pasagjer.
Kërkesa për udhëtime ndërqytetëse po rritet ndjeshëm në prag të Kupës së Botës, sidomos në linjat që lidhin qytetet pritëse të ndeshjeve.
Drejtuesi ekzekutiv i kompanisë, Kai Boysan, thotë se ky event global po krijon një model të ri lëvizjeje, ku mijëra tifozë do të udhëtojnë nga një qytet në tjetrin brenda një kohe të shkurtër.
“Ne jemi të përgatitur për Kupën e Botës. Po e monitorojmë situatën dhe tashmë shohim rritje të shitjeve, sidomos në verilindje. Disa tifozë që kanë bileta për ndeshjet i kanë blerë tashmë biletat e udhëtimit më herët.”
Ai thekson se një event i tillë global krijon presion të madh mbi infrastrukturën e transportit, përfshirë aeroportet dhe autostradat, ndërsa autobusët ndërqytetës luajnë rol kyç në zbutjen e kësaj ngarkese.
“Një event global si Kupa e Botës krijon modele të veçanta udhëtimi. Dhjetëra mijëra tifozë lëvizin nga një qytet në tjetrin, duke vendosur presion mbi aeroportet, rrugët dhe transportin urban. Transporti me autobus është pjesë thelbësore e sistemit, sepse është fleksibël, i përballueshëm dhe me kapacitet të lartë. Ne ndihmojmë në menaxhimin e kësaj kërkese dhe në lehtësimin e lëvizjes së njerëzve”, pohoi Boysan, CEO i “Flix North America”.
Në këtë mënyrë, transporti me autobus ofron një alternativë të qëndrueshme dhe ekonomike në SHBA, në një periudhë ku lëvizja pritet të arrijë kulmin për shkak të një prej eventeve më të mëdha sportive në botë.







