HomePolitikeRama me gazetarët e huaj: Dikur më quanin njeri të Sorosit, tani...

Rama me gazetarët e huaj: Dikur më quanin njeri të Sorosit, tani të Kushnerit

Advertismentspot_img

Kryeministri Edi Rama komentoi këtë të martë debatet që kanë shoqëruar projektin turistik që parashikohet të zhvillohet në Zvërnec nga Ivanka Trump dhe bashkëshorti i saj, Jared Kushner. Gjatë një bashkëbisedimi me gazetarë nga vendet e Bashkimit Europian, kreu i qeverisë theksoi se interesi i çiftit amerikan për të investuar në Shqipëri ka lindur përpara se Donald Trump të rikthehej në qendër të skenës politike amerikane.

Rama argumentoi se vëmendja e madhe ndërkombëtare ndaj projektit lidhet kryesisht me emrin e presidentit amerikan Donald Trump dhe jo me vetë investimin.

“Arsyeja pse bota është entuziazmuar për këtë është për shkak të Donald Trump. Nuk besoj se flamingot në Shqipëri do të kishin bërë një zhurmë kaq të madhe nëse nuk do të ekzistonte mundësia për ta lidhur këtë çështje me Trumpin. Megjithatë, kjo nuk ka të bëjë me thelbin e projektit”, u shpreh Kryeministri.

Duke iu referuar kohës kur Ivanka Trump dhe Jared Kushner vizituan Shqipërinë për herë të parë, Rama nënvizoi se në atë periudhë e ardhmja politike dhe ligjore e Donald Trump ishte e pasigurt.

“Kur Ivanka Trump dhe Jared Kushner erdhën këtu, nuk ishte e qartë nëse Donald Trump do të përfundonte në burg apo do të rikthehej në Shtëpinë e Bardhë. Për mua ata ishin investitorë amerikanë që kërkonin të dinin nëse mund të investonin në Shqipëri”, deklaroi ai.

Kreu i qeverisë reagoi edhe ndaj kritikave që, sipas tij, kanë ndryshuar kah në varësi të zhvillimeve politike ndërkombëtare. Ai kujtoi se për vite me radhë është akuzuar nga kundërshtarët politikë për lidhje me George Soros, ndërsa sot, sipas tij, etiketohet si i afërt me Jared Kushner.

“Nga njëra anë më thonë se jam i Sorosit, tani më thonë se jam i Kushnerit. Vendosni se kush jam. Unë jam Kryeministri i Shqipërisë dhe dua që të gjithë të vijnë të investojnë këtu dhe të jenë miq të këtij vendi”, tha Rama.

Në përfundim, Kryeministri theksoi se Shqipëria nuk duhet të shndërrohet në arenë të përplasjeve politike që zhvillohen në Shtetet e Bashkuara të Amerikës apo në vende të tjera, duke nënvizuar se çdo projekt investimi duhet të vlerësohet mbi bazën e fakteve, interesit publik dhe rezultateve konkrete që sjell për vendin.

Advertismentspot_imgspot_imgspot_imgspot_img
spot_img
RELATED ARTICLES
- Advertisment -spot_img
- Advertisment -spot_img

Most Popular