Mbi 40 mijë besimtarë u mblodhën në Stadiumin Olimpik të Barcelonës në një vigjilje lutjeje dhe shprese të udhëhequr nga Papa Leoni i XIV.
Mes dëshmive prekëse të të rinjve, spikat biseda me një adoleshente, e cila rrëfeu përpjekjen e të atit për të vrarë nënën e saj gjatë fëmijërisë.
Ati i Shenjtë dënoi ashpër dhunën në familje dhe u bëri thirrje shoqërive për reflektim të thellë.
“Aq shumë raporte krimesh, madje edhe sot, pasqyrojnë një klimë toksike në marrëdhëniet familjare, të shënuar nga abuzimi e shtypja dhe, në veçanti, nga dhuna ndaj grave. Të gjithë jemi të thirrur ta adresojmë këtë realitet dramatik, si personalisht ashtu edhe si shoqëri, sepse jemi përgjegjës për t’u përballur me të në të gjitha dimensionet e tij. Nëse dhuna ekziston, nëse egoizmi mbizotëron, nëse edhe dashuria mes anëtarëve të familjes kthehet në urrejtje, ne duhet të vëmë në dyshim dinamikën e shoqërisë sonë, kulturën e individualizmit dhe tundimin e dhunës, por jo Zotin”, tha Papa.
Përpara se të nisej drejt takimeve zyrtare me autoritetet e Katalonjës, kreu i Selisë së Shenjtë bekoi edhe një flotë ambulancash të mbushura me ndihma humanitare, të cilat do të udhëtojnë drejt Ukrainës.
Një tjetër moment i rëndësishëm i vizitës së Atit të Shenjtë në Spanjë, ishte takimi me presidentin e Real Madrid, Florentino Pérez, i cili i dhuroi dy simbole të skuadrës.
Ndërkohë, vizita e Atit të Shenjtë ka përfshirë të gjithë qytetin në një atmosferë të jashtëzakonshme festive dhe shpirtërore.
Gjatë gjithë natës, rreth 500 besimtarë u mblodhën për t’u lutur në një lartësi prej 125 metrash, në kullën e njohur “Torre Glories”.
Nga mesnata deri në orët e para të mëngjesit, qytetarët ndoqën ritet e adhurimit.
“Ideja ishte të merrnim pjesë në të gjitha ngjarjet që organizon qyteti. Ne përpiqemi të jemi në një linjë me çdo lloj aktiviteti që zhvillohet këtu. Prandaj, me këtë vizitë të Papës, kjo ishte padyshim një nga ngjarjet më të mëdha që do të përjetojmë ndonjëherë”, tha Pratdepadua.
Kjo vizitë e Atit të Shenjtë është pjesë e një turi njëjavor në Spanjë.







