HomeKronikeArrestimi i Moisi Habilajt/ Policia: Do të ekstradohet drejt Italisë, 1 nën...

Arrestimi i Moisi Habilajt/ Policia: Do të ekstradohet drejt Italisë, 1 nën hetim e 1 në pranga

Advertismentspot_img

Policia e Vlorës e ka reaguar zyrtarisht për arrestimin e të shumëkërkuarit të drejtësisë Moisi Habilaj 48 vjeç, dje më 13 qershor, në një beach bar në Borsh, duke sqaruar se do të ekstradohet drejt Italisë.

Gjatë operacionit, një tjetër person është arrestuar E.A., 46 vjeç, ndërsa është vënë nën hetim në gjendje të lirë S.F., 70 vjeç, të akuzuar për veprën penale “Përkrahja e autorit të krimit”.

Moisi Habilaj, i njohur ndryshe si kreu i grupit kriminal të Habilajve, ishte shpallur në kërkim që prej janarit 2021 për trafik droge kur iu arratis drejtësisë italiane. Ai është dënuar nga Gjykata e Katanias, Itali, me 12 vjet, 2 muaj e 13 ditë burgim për veprën penale “Pjesëmarrje në organizatë kriminale të armatosur me qëllim trafikimin e lëndëve narkotike”.

Habilaj është dënuar dhe nga Gjykata e Krimeve të Rënda në Shqipëri, sot GJKKO, për veprat penale “Prodhimi dhe shitja e narkotikëve”, “Trafikimi i lëndëve narkotike”, kryer në bashkëpunim në formën e grupit të strukturuar kriminal, si dhe “Grupi i strukturuar kriminal”.

Ai është shpallur fajtor për katër episode të trafikut të kanabisit për vitet 2014–2015. Për shkak të gjykimit të shkurtuar, dënimi ndaj tij u ul në 10 vite heqje lirie.

Hetimet për ‘kokën’ e grupit të Habilajve nisën pas publikimit të disa përgjimeve të drejtësisë italiane, e cila kishte hetuar grupin për vite me radhë. Ndërkohë, në dhjetor 2025, Gjykata e Posaçme Antikorrupsion (GJKKO) dënoi edhe katër anëtarë të tjerë të grupit me 32 vite burg në total.

“Vlorë/Finalizohet operacioni policor i koduar “Metodat”, për kapjen e një personi të shumëkërkuar dhe me rrezikshmëri të lartë shoqërore.

Operacioni u zhvillua nga Drejtoria Vendore e Policisë Vlorë, në bashkëpunim me Drejtorinë e Forcës së Posaçme Operacionale në Policinë e Shtetit.

Kapet dhe arrestohet provizorisht, me qëllim ekstradimin drejt Italisë, një shtetas me rrezikshmëri të lartë shoqërore, i dënuar nga autoritetet italiane me mbi 12 vjet burgim për pjesëmarrje në organizatë kriminale të armatosur me qëllim trafikimin e lëndëve narkotike.

Në vijim të punës intensive hetimore dhe operacionale për lokalizimin dhe kapjen e personave në kërkim, bazuar në informacionet e siguruara dhe në përdorimin e metodave speciale të hetimit për zbulimin dhe lokalizimin e një personi shumë të kërkuar nga autoritetet italiane, në kuadër të operacionit policor të koduar “Metodat”, u bë i mundur lokalizimi në një lokal në Borsh, kapja dhe arrestimi provizor i shtetasit Moisi Habilaj, 48 vjeç, banues në Babicë e Vogël, Vlorë.

Ky shtetas është dënuar nga Gjykata e Katanias, Itali, me 12 vjet, 2 muaj e 13 ditë burgim për veprën penale “Pjesëmarrje në organizatë kriminale të armatosur me qëllim trafikimin e lëndëve narkotike”.

Po ashtu, ndaj tij u ekzekutua edhe masa e sigurisë “Arrest në burg”, e caktuar me vendimin nr. 192, datë 26.12.2018, të Gjykatës së Krimeve të Rënda, për veprat penale “Prodhimi dhe shitja e narkotikëve”, “Trafikimi i lëndëve narkotike”, kryer në bashkëpunim në formën e grupit të strukturuar kriminal, si dhe “Grupi i strukturuar kriminal”.

Gjatë operacionit, u arrestua në flagrancë shtetasi E.A., 46 vjeç, banues në Sarandë, si dhe u procedua në gjendje të lirë shtetasi italian S.F., 70 vjeç, për veprën penale “Përkrahja e autorit të krimit”.

Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë për veprime të mëtejshme”, thuhet në njoftimin e policisë.

Advertismentspot_imgspot_imgspot_imgspot_img
spot_img
RELATED ARTICLES
- Advertisment -spot_img
- Advertisment -spot_img

Most Popular