Albiano Kreçi, 22 vjeç, ka ndërruar jetë në Gjirin e Ksamilit pas një aksidenti të rëndë në det. Sipas informacioneve paraprake, mjeti lundrues që ai po drejtonte është përplasur papritur me një skaf të Policia Kufitare e Shtetit në Sarandë, i cili ndodhej i stacionuar rreth 400 metra larg bregut, në monitorim të hapësirës detare.
Autoritetet kanë nisur hetimet për të sqaruar rrethanat e plota të aksidentit detar dhe për të përcaktuar përgjegjësitë e mundshme.
Njoftimi i policisë
“Rreth orës 18:30, në Ksamil, shtetasi A. K., rreth 22 vjeç, banues në Ksamil, duke lundruar në det me një mjet lundrues tip jet ski (makinë lundruese), dyshohet se, si pasojë e lundrimit me shpejtësi, është përplasur me skafin e Policisë Kufitare, i cili ishte i stacionuar (i ndaluar) rreth 400 metra larg bregut, në monitorim të hapësirës detare. Si pasojë e përplasjes, u dëmtua drejtuesi i mjetit lundrues, i cili u nxor menjëherë nga deti nga punonjësit e Policisë dhe drejtues të tjerë të mjeteve lundruese që ndodheshin në zonë, dhe u transportua me urgjencë në spital, por, si pasojë e dëmtimeve të marra, humbi jetën. Menjëherë është ngritur një grup i posaçëm hetimor dhe, në bashkëpunim me Agjencinë e Mbikëqyrjes Policore, nën drejtimin e Prokurorisë, po kryhen veprimet për sqarimin e plotë të rrethanave dhe shkakut të ngjarjes”.







