Këtë të premte, 19 qershor, u inaugurua fluturimi i parë direkt mes Tiranës dhe Torontos në Aeroportin Ndërkombëtar “Nënë Tereza”, duke shënuar vendosjen e një lidhjeje të re ajrore mes Shqipërisë dhe Kanadasë.
Në ceremoninë e organizuar në Rinas morën pjesë kryeministri Edi Rama, ambasadorja e Kanadasë në Shqipëri Elissa Goldberg, ministri i Turizmit Blendi Gonxhja dhe përfaqësues të sektorit të aviacionit.
Gjatë fjalës së tij, ministri i Turizmit, Kulturës dhe Sportit, Blendi Gonxhja tha se Shqipëria po përparon në turizëm, ku përgjatë vitit 2025 ishte një ndër destinacionet e preferuara. Sipas tij, kjo tendencë ka vazhduar edhe përgjatë 6 muajve të parë të vitit 2026.
“Shqipëria po përjeton një nga periudhat më dinamike. Viti 2025 ishte një nga vitet më të rëndësishme për turistët e huaj. Edhe rezultatet e muajve të parë të vitit 2026 konfirmojnë këtë tendencë. Këto rezultate tregojnë se Shqipëria po fiton më shumë besimin e turistëve. Objektivi ynë nuk është vetëm që të presim më shumë turistë, por të rrisim edhe njësitë akomoduese. Prandaj udhëtarët tanë nga larg janë më strategjikë, sepse kanë më shumë qëndrim. Turizmi po dëshmohet çdo ditë e më shumë si motor i ekonomisë”, tha ministri Gonxhja.

Ndërkohë, ministri i Energjisë dhe Infrastrukturës, Enea Karakaçi tha se Shqipëria po bëhet gjithnjë e më shumë e aksesueshme, duke shtuar se linja direkte Tiranë-Toronto është vetëm fillimi.
“Jemi mbledhur sot në këtë ceremoni, për hapjen e një mundësie të re. Një fluturim lidh Kanadanë me Shqipërinë. Është një urë lidhëse mes dy vendeve, në saje të një pune teknike dhe diplomatike. Sot kemi dëshmuar se kur ekziston vullneti dhe bashkëpunimi, burokracitë kalohen. Linjat ajrore vijnë duke u shtuar dhe Shqipëria po bëhet gjithnjë e më shumë e aksesueshme. Vizioni ynë është i qartë, më shumë bashkëpunim dhe zgjerim. Linja Tiranë-Toronto është vetëm fillimi”, tha ministri i Infrastrukturës Karakaçi.
Teksa sot mbahet fluturimi inaugurues nga TIA, operimet do të vijojnë gjatë sezonit veror deri më 9 tetor 2026, me një frekuencë javore.







