Kryeministri Edi Rama ka bërë një reagim të dytë publik në rrjetet sociale lidhur me zhvillimet e protestës antiqeveritare që po zhvillohet përpara Kryeministrisë. Ky reagim i tij i adresohet specifikisht Dritan Goxhajt, i cili një ditë më parë lexoi në shesh deklaratën zyrtare me kërkesat e protestuesve.
Përmes një postimi në llogaritë e tij zyrtare, kreu i qeverisë ka publikuar një video ku shfaqen disa persona duke lexuar një dokument zyrtar, i cili sipas tij, dëshmon se Goxhaj nuk ka qenë pjesë e luftimeve në Kosovë.
“Dje komandant me pagesë, po sot shërbëtor me çfarë?”
Sipas kryeministrit Rama, dokumenti i bërë publik rrëzon pretendimet e Goxhajt si ish-luftëtar dhe ngre pikëpyetje mbi rolin e tij aktual në krye të revoltës qytetare në Bulevard.
Edi Rama: “Dritan Goxhaj, i vetëshpallur si luftëtar i UÇK-së dhe sot zëdhënësi i kërkesave të protestës së Bulevardit, nuk ka luftuar asnjë ditë në Kosovë. Dje ‘Komandant’ me pagesë, po sot shërbëtor me çfarë?
Ky postim i kryeministrit vjen në të njëjtën ditë kur ai pati edhe një replikë tjetër në distancë me një nga protestuesit në shesh, duke dëshmuar se debati mes palëve po zhvillohet intensivisht paralelisht me marshimet në terren.







