Edi Rama ka marrë pjesë në një event të dedikuar infrastrukturës nëntokësore në zonat urbane, ku në fokus ishte sistemimi i kabllove ajrore dhe kalimi gradual drejt infrastrukturës nëntokësore në qytetet e vendit.
Gjatë fjalës së tij, Rama u shpreh se është tashmë e mundur që qytetet të pastrohen nga kabllot e vjetra dhe të papërdorura, të cilat sipas tij dëmtojnë pamjen urbane dhe në shumë raste janë jashtë funksionit. Ai theksoi se një pjesë e tyre janë trashëgimi e mungesës së investimeve dhe kontrollit ndër vite.
Kryeministri njoftoi gjithashtu se në muajin korrik do të prezantohet një nismë e re e madhe për ujësjellës-kanalizimet, si pjesë e një ndërhyrjeje gjithëpërfshirëse në infrastrukturë.
Ai bëri të ditur edhe përgatitjen e programit “Rilindja Urbane 2.0”, i cili sipas tij synon të adresojë mangësitë në sistemet ekzistuese, të përmirësojë rrjetin e ujësjellës-kanalizimeve dhe të zhvillojë më tej transportin urban dhe interurban, veçanërisht në periudhat me fluks të lartë turistik.
Sipas Ramës, programi është në fazë përgatitore dhe do të prezantohet zyrtarisht në një konferencë të pushtetit vendor në fillim të muajit korrik.







