Një shtetas britanik është arrestuar në Ekuador, i dyshuar për vrasjen e një influencueseje kolumbiane, në një rast që ka tronditur opinionin publik në Amerikën e Jugut dhe Mbretërinë e Bashkuar.
I dyshuari, Matthew Ashley Foster-Smith, 46 vjeç, nga Britania, akuzohet se ka vrarë 36-vjeçaren Natalie Villalba në Bogota më 18 qershor, përpara se të tentonte të fshihte krimin duke e vendosur trupin e saj në një valixhe dhe duke u larguar nga vendi.
Sipas aktakuzës, viktima u gjet disa ditë më vonë në një hotel ku ajo qëndronte, pasi pastrueset e ndërtesës hynë në dhomë më 21 qershor, kur qiraja e saj kishte skaduar. Autoritetet dyshojnë se ajo është rrahur për vdekje, ndërsa më pas trupi i saj është fshehur me qëllim për të humbur gjurmët e krimit.
Hetimet tregojnë se i dyshuari është parë nga kamerat e sigurisë në të njëjtën ndërtesë duke transportuar çarçafë drejt një lavanderie në ditët pas vrasjes, çka ka shtuar dyshimet e prokurorisë.
Foster-Smith, i cili sipas mediave britanike ka një histori dënimesh për ngacmim ndaj grave, është larguar fillimisht nga Kolumbia dhe është gjetur më pas në Ekuador, ku u arrestua në një aeroport në Quito, teksa përgatitej të udhëtonte drejt Britanisë.
Gjatë marrjes në pyetje, ai ka mohuar përfshirjen në krim dhe ka pretenduar se në momentin e ngjarjes ndodhej duke ndjekur një ndeshje futbolli në një bar, duke përmendur si alibi “Kampionatin Botëror” dhe lëvizjet e tij nëpër qytet, përfshirë vizita në një qendër tregtare dhe një kafene.
Ai ka deklaruar gjithashtu se ka marrë kërcënime me vdekje nga persona të paidentifikuar, duke pretenduar se ishte në proces largimi nga vendi kur u ndalua nga autoritetet.
Ndaj tij ishte lëshuar një urdhër arresti ndërkombëtar nga Interpoli, ndërsa Kolumbia e akuzon për vrasje dhe përpjekje për të fshehur provat.
Sipas raportimeve, i dyshuari ka qenë më parë i dënuar në Britani për vepra të lidhura me ngacmim dhe sjellje abuzive, përfshirë edhe raste të mëparshme që kanë rezultuar në burgim. Hetimet për rastin vijojnë.







