Një futbollist argjentinas që aktivizohet në kampionatin e dytë të Venezuelës po përjeton një tragjedi të rëndë familjare, pasi bashkëshortja dhe dy fëmijët e tij rezultojnë të zhdukur pas tërmeteve shkatërruese që goditën vendin javën e kaluar.
Lucas Trejo, lojtar i Club Sport Marítimo La Guaira, ka kaluar ditët e fundit mes shpresës dhe dëshpërimit, duke kërkuar nën rrënoja për gruan e tij Yanina dhe fëmijët e tyre Aarón dhe Ainhoa, pas shembjes së shtëpisë së tyre në zonën bregdetare të La Guaira, një nga rajonet më të goditura nga fatkeqësia.
Sipas familjarëve, futbollisti është “i mbingarkuar emocionalisht”, ndërsa në vendngjarje nuk ka mbetur pothuajse asgjë nga banesa ku jetonte familja. Operacionet e kërkim-shpëtimit vazhdojnë ende, por shpresat për gjetjen e të mbijetuarve po zbehen me kalimin e kohës.
Trejo ndodhej në kamp stërvitor me ekipin në Karakas kur ndodhën tërmetet dhe menjëherë u nis drejt shtëpisë së tij, por ajo që gjeti ishte një skenë shkatërrimi total. “Nuk ka mbetur asgjë”, kanë deklaruar familjarët, duke theksuar se kërkimet po bëhen me mjete të kufizuara dhe ndihma të pamjaftueshme.
Klubi i tij ka shprehur ngushëllimet dhe solidaritetin për futbollistin, duke publikuar një mesazh mbështetjeje dhe një fotografi familjare, ndërsa e gjithë skuadra është mobilizuar për ta ndihmuar në këto momente të vështira.
Tërmetet e fuqishme, të cilat sipas autoriteteve kanë shkaktuar mbi 1,400 viktima dhe mijëra të zhdukur, janë cilësuar si ndër më shkatërruesit në historinë e Venezuelës. Ekipet e emergjencës vijojnë punën në terren, ndërsa pas 72 orëve të para shpresat për të mbijetuarit po pakësohen ndjeshëm.







