TEL AVIV – Një përplasje e ashpër verbale dhe diplomatike ka shpërthyer mes kryeministrit të Izraelit, Benjamin Netanyahu, dhe presidentit turk, Rexhep Tajip Erdogan. Në një intervistë të drejtpërdrejtë për rrjetin televiziv izraelit Channel 14, Netanyahu i ka dërguar një mesazh të prerë dhe kërcënues liderit turk, duke i kërkuar të “qetësohet” dhe duke i kujtuar se epoka e sundimit osman ka perënduar shekuj më parë.
Tensionet mes dy vendeve kanë arritur pikën kritike pas deklaratave të njëpasnjëshme të Ankarasë zyrtare, përfshirë thirrjet e ministrit të Brendshëm turk për “çlirimin” e Jerusalemit dhe raportimeve se Erdogan ishte lutur për “shkatërrimin e Izraelit”.
Netanyahu ka sulmuar ashpër linjën politike të Turqisë, duke e rreshtuar atë krah lëvizjeve ekstremiste radikale në Lindjen e Mesme.
“Ajo që po ndodh në Turqi është rezultat i rënies së fuqisë së Iranit. Irani përfaqëson boshtin ekstremist shiit, ndërsa Turqia përfaqëson boshtin e Vëllazërisë Myslimane, një lëvizje po aq ekstremiste”, deklaroi kryeministri izraelit.
Duke iu përgjigjur pretendimeve të Erdoganit për Jerusalemin, Netanyahu përdori një gjuhë të ashpër historike:
“Erdogan ka harruar se 400 vitet e Perandorisë Osmane kanë mbaruar. Sot ekziston një shtet i fortë i quajtur Izrael. Ekzistojnë Forcat e Armatosura Izraelite, ekziston populli dhe qeveria e Izraelit. Do të ishte e mençur që ai të qetësohej. Ne kemi vërtetuar se çfarë jemi të aftë të bëjmë.”
Gjatë intervistës, Netanyahu ndaloi edhe te një tjetër front i nxehtë: raportimet për shtimin e trupave ushtarake të Egjiptit në Gadishullin e Sinait.
Pa dhënë shumë detaje operative, kreu i qeverisë izraelite konfirmoi se ka zhvilluar bisedime të tensionuara me autoritetet e Kajros zyrtar, duke kërkuar respektimin e plotë të marrëveshjeve të paqes dhe kufijve mes dy vendeve. Ai e mbylli deklaratën duke theksuar se ekuilibrat gjeopolitikë në rajon po ndryshojnë me shpejtësi dhe se Izraeli do të bëjë çdo gjë për të forcuar pozicionin e tij ushtarak.







