Eliminimi 2-1 nga Norvegjia në fazën e 1/8 së finales të Kupës së Botës 2026 nuk është thjesht fundi i rrugëtimit të Brazilit në turne.
Ai zgjat edhe më shumë një statistikë që prej vitesh është kthyer në një makth për “Seleçaon”: brazilianët nuk kanë fituar asnjë ndeshje me eliminim direkt ndaj një skuadre europiane në Botëror që nga triumfi 2-0 ndaj Gjermanisë në finalen e vitit 2002.
Që nga ai sukses historik në Yokohama, ku golat e Ronaldos i dhanë Brazilit titullin e pestë botëror, çdo përballje me një kundërshtar europian në fazën “knockout” ka përfunduar me eliminimin e pesë herë kampionëve të botës.
Makthi europian i Brazilit
2002 – Finale: Brazil 2-0 Gjermani (fitorja e fundit ndaj një skuadre europiane në “knockout”)
2006 – Çerekfinale: Franca 1-0 Brazili
2010 – Çerekfinale: Holanda 2-1 Brazili
2014 – Gjysmëfinale: Gjermania 7-1 Brazili
2014 – Ndeshja për vendin e tretë: Holanda 3-0 Brazili*
2018 – Çerekfinale: Belgjika 2-1 Brazili
2022 – Çerekfinale: Kroacia 1-1 Brazili (4-2 me penallti)
2026 – 1/8 e finales: Norvegjia 2-1 Brazili
*Edhe pse ndeshja për vendin e tretë nuk konsiderohet fazë eliminimi direkte, ajo thelloi dominimin europian ndaj Brazilit në atë Botëror.
Eliminimi i fundit mban firmën e Erling Haaland, i cili shënon dy gola dhe i siguron Norvegjisë një kualifikim historik në çerekfinale. Skuadra e Ståle Solbakken vazhdon gjithashtu një tjetër statistikë të jashtëzakonshme: Norvegjia mbetet pa humbje ndaj Brazilit në pesë përballje historike mes tyre.
Për Brazilin, ky është tashmë eliminimi i gjashtë radhazi nga një skuadër europiane në fazën me eliminim direkt të Kupës së Botës, duke konfirmuar se “makthi europian” vazhdon të ndjekë një nga kombëtaret më të suksesshme në historinë e futbollit.







