Një avion luftarak F-16 i Forcave Ajrore të Greqisë kreu një ulje emergjente në aeroportin e Zakynthos, pasi pësoi një defekt mekanik që shkaktoi edhe një zjarr.
Avioni ishte ngritur nga Baza Ajrore e 116-të Luftarake në Araxos dhe po merrte pjesë në një fluturim stërvitor, kur u shfaq problemi teknik. Për këtë arsye, piloti u detyrua të kryente një ulje emergjente në aeroportin më të afërt, atë të Zakynthosit.
Sipas informacioneve paraprake, piloti është në gjendje të mirë shëndetësore dhe nuk ka pësuar lëndime.
Menjëherë pas uljes së avionit, në vendngjarje mbërritën forcat zjarrfikëse, të cilat ndërhynë për të shuar flakët. Si masë parandaluese, ato përdorën edhe shkumë speciale për të shmangur përhapjen e zjarrit.
“Forcat Ajrore njoftojnë se të enjten, më 9 korrik 2026, në orën 13:45, një avion F-16 i Skuadronit të 335-të të Bazës Ajrore Luftarake 116, gjatë një fluturimi stërvitor, kreu një ulje emergjente në aeroportin e Zakynthosit për shkak të një defekti. Piloti i avionit është në gjendje të mirë shëndetësore. Shkaqet e incidentit janë duke u hetuar.”, thuhet në njoftimin e Forcave Ajrore Greke







