Marius Borg Høiby, djali i Princeshës së Kurorës së Norvegjisë, Mette-Marit, është lejuar të largohet nga paraburgimi dhe të qëndrojë në arrest shtëpiak, ndërsa nëna e tij po rikuperohet pas një transplanti të mushkërive.
29-vjeçari ishte dënuar në shkallën e parë një muaj më parë për dy akuza që lidhen me përdhunimin dhe dhunën në familje ndaj një ish-partnereje. Megjithatë, ai ka apeluar vendimin dhe procedurat gjyqësore do të vazhdojnë.
Në pritje të procesit të ri, autoritetet norvegjeze kanë vendosur që Høiby të vuajë masën e arrestit në banesë, ku do të monitorohet me byzylyk elektronik.
Sipas mediave norvegjeze, një nga arsyet kryesore që gjykata pranoi kërkesën për arrest shtëpiak lidhet me gjendjen shëndetësore të Princeshës Mette-Marit, e cila së fundmi iu nënshtrua me sukses një transplanti të mushkërive dhe ndodhet në fazën e rikuperimit.
“Familja ime ka kaluar një periudhë shumë të vështirë. Të gjithë janë pranë nënës sime. Të mos jem në gjendje ta mbështes është jashtëzakonisht e vështirë për mua”, është shprehur Høiby, sipas transmetuesit publik norvegjez NRK.







