Dronët ukrainas kanë goditur gjatë natës 20 anije ruse në Detin e Zi, përfshirë 17 cisterna nafte, sipas komandantit të Forcave të Sistemeve pa Pilot të Ukrainës, Robert Brovdy.
Në një njoftim të publikuar në Telegram, Brovdy bëri të ditur se mes objektivave të goditura ishin edhe dy anije cisternash gazi dhe një rimorkiator. Ai nuk dha detaje të mëtejshme mbi dëmet e shkaktuara apo vendndodhjen e saktë të sulmeve.
Ndërkohë, Rusia deklaroi se gjatë natës kishte kryer sulme ndaj porteve ukrainase që përdoren për furnizime ushtarake. Ministria ruse e Mbrojtjes njoftoi se katër anije që transportonin ngarkesa për forcat e armatosura ukrainase u goditën në portet e Odesës dhe Chornomorsk, në rajonin e Odesës.
Sipas Moskës, sulmet u kryen me armë të drejtuara me precizion të lëshuara nga ajri dhe me dronë sulmues. Objektivat e goditura përfshinin infrastrukturën portuale të përdorur për shkarkimin e karburanteve dhe lubrifikantëve, si dhe rezervuarë magazinimi të karburantit.
Ndërkohë, Presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, mbërriti sot në Kiev, ku njoftoi hapa të rinj për forcimin e bashkëpunimit mes industrive evropiane dhe ukrainase të mbrojtjes.
“Do të njoftoj nisma të reja për të integruar industritë tona të mbrojtjes, në mënyrë që të prodhojmë më shumë dhe më shpejt”, shkroi von der Leyen në platformën X pas mbërritjes në kryeqytetin ukrainas.
Në një zhvillim tjetër, gazeta Financial Times raportoi se Ukraina ka siguruar një përjashtim për të përdorur një pjesë të fondeve nga një kredi prej 6 miliardë eurosh e Bashkimit Evropian për blerjen e pjesëve kineze për prodhimin e dronëve.
Sipas raportit, vendimi lidhet me nevojën e Kievit për të rritur kapacitetet e prodhimit të mjeteve pa pilot, ndërsa lufta me Rusinë vijon të mbështetet gjithnjë e më shumë te përdorimi i dronëve në fushën e betejës. Reuters bëri të ditur se nuk ka mundur ta konfirmojë menjëherë këtë informacion.







