nga Tomorr Kotarja
Ka njerëz që nuk i mat mosha, por pesha e fjalës, karakteri dhe gjurma që lënë në kujtesën e brezave. Një ndër ta është pa dyshim Xhetan Jata, një burrë i Lumës që mishëron virtytet më të larta të malësorit shqiptar: besën, nderin dhe burrninë.
Këto vlera kanë shtëpinë e tyre në derën e madhe të Din Jatës, një emër që historia e Lumës e ka skalitur me germa nderi. Bir i patriotit dhe antikomunistit të vendosur, Din Jata, figurë emblematike që zgjodhi vetëflijimin, por nuk e shiti kurrë besën, shokët dhe bashkëluftëtarët e tij, ndër ta edhe Han Kotaren . Ai pagoi me jetën e tij për të mbetur i drejtë, duke lënë si trashëgimi më të çmuar nderin, besën dhe dinjitetin.
Kur ulesh në bisedë me Xhetan Jatën, nuk dëgjon thjesht rrëfime; udhëton nëpër histori. Baladat, legjendat dhe ngjarjet e kohëve të shkuara marrin jetë nëpërmjet kujtesës së tij të jashtëzakonshme. Çdo ngjarje rrëfehet me qetësi, mençuri e saktësi, sikur të ishte shkruar në faqet e historisë.
Rrudhat në ballin e tij duken si gjurmët e dallgëve të jetës, ndërsa thinjat si fletë të bardha ku koha ka shkruar sakrifica, kujtime dhe përvoja. Çdo rrudhë flet, çdo thinjë mbart një histori, një mësim, një copëz të identitetit të Lumës.
Në odat e burrave, në kuvende apo në çdo takim ku merr pjesë, ai spikat natyrshëm. Fjala e tij është e peshuar, e mençur dhe bindëse, sepse buron nga përvoja, ndershmëria dhe urtësia. Nuk ka nevojë të ngrejë zërin për t’u dëgjuar; e dëgjojnë sepse flet me autoritetin që të fal jeta e jetuar me dinjitet.
Luma është krenare që ka burra si Xhetan Jata. Në moshën 82-vjeçare, ai vazhdon të jetë një shtyllë morali dhe një burim frymëzimi për familjen, miqtë, shokët, nipërit, mbesat dhe për të gjithë ata që besojnë se virtytet e vërteta nuk plaken kurrë.
Sot pata kënaqësinë të ndaj këte status si një shenjë respekti dhe mirënjohjeje për mikun e babait tim. Përmes tij rikthehemi në një kohë kur burrat maten me fjalën e dhënë, me besën e mbajtur, me zemrën prej çeliku dhe me qëndresën e pathyeshme.
Respekt e mirënjohje për Xhetan Jatën – një burrë që nderon familjen e tij, Lumën dhe gjithë shqiptarinë. Sepse disa njerëz nuk janë thjesht pjesë e historisë; ata janë vetë historia.







