Sekretari amerikan i Shtetit, Marco Rubio, e ka përshkallëzuar ndjeshëm retorikën e tij kundër Gjykatës Penale Ndërkombëtare (GJPN) në Hagë. Kjo mund të ketë pasoja serioze për vetë gjykatën.
Në Hagë ndodhen dy gjykata të mëdha ndërkombëtare që shpesh ngatërrohen me njëra-tjetrën. Nga njëra anë është Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë (GJND) e Kombeve të Bashkuara, e cila merret me mosmarrëveshjet midis shteteve dhe ndodhet në Pallatin historik të Paqes. Nga ana tjetër është Gjykata Penale Ndërkombëtare (GJPN), e cila ekziston që nga viti 2002dhe merret me ndjekjen penale të individëve përgjegjës për krime lufte. Ajo ndodhet në një ndërtesë moderne prej xhami dhe betoni.
Ndryshe nga OKB-ja, ku marrin pjesë 193 shtete, në GJPN janë anëtare vetëm 125 vende. Mes shteteve që nuk janë anëtare gjenden SHBA-ja, Rusia dhe Kina, si edhe disa vende të Azisë dhe Afrikës Veriore.
Kur Marco Rubio kërcënoi së fundmi se do ta shkatërronte gjykatën “tullë pas tulle”, ishte e qartë se ai po i referohej GJPN-së. Ministria e tij renditi masat që SHBA po shqyrton kundër gjykatës. Mes tyre janë: ndalimi i hyrjes në SHBA për punonjësit e GJPN-së; zgjerimi i sanksioneve kundër gjykatës dhe organizatave të lidhura me të; rishikimi më i rreptë i marrëdhënieve me vendet që nuk e hedhin poshtë autoritetin e GJPN-së dhe njëkohësisht përfitojnë ndihmë amerikane. SHBA-ja ka ushtruar edhe më parë presion ndaj gjykatës, por toni i ri ka tërhequr vëmendjen e ekspertëve të së drejtës ndërkombëtare në mbarë botën.
Andreas Schüller, bashkëdrejtues i programit për krimet ndërkombëtare dhe përgjegjësinë juridike në Qendrën Evropiane për të Drejtat Kushtetuese dhe të Njeriut (ECCHR) në Berlin, thotë: “SHBA-ja dhe Marco Rubio po bëjnë publike diçka që ka ndodhur prej më shumë se një viti: ushtrimin e presionit diplomatik ndaj shteteve të tjera për të ndryshuar qëndrimet dhe në disa raste edhe sjelljen e tyre të votimit në raport me GJPN-në.”
Sipas tij, fakti që tashmë flitet hapur për një “fushatë” tregon se bëhet fjalë për një strategji më të gjerë, e cila synon të përfshijë edhe shtete të tjera që nuk janë anëtare të GJPN-së.
Një gjykatë nga e cila askush nuk duhet t’i shpëtojë drejtësisë
SHBA-ja nuk është anëtare e Gjykatës Penale Ndërkombëtare. Kjo do të thotë se veprat e kryera në territorin amerikan nuk mund të gjykohen në Hagë. Megjithatë, GJPN-ja ka juridiksion edhe kur krime të rënda dyshohet se janë kryer në territorin e një shteti anëtar. Mbi këtë bazë janë lëshuar, ndër të tjera, urdhër-arrestet kundër presidentit rus Vladimir Putin dhe kryeministrit izraelit Benjamin Netanyahu.
Ekzistenca e GJPN-së lidhet me mësimet e nxjerra nga historia. Proceset e Nurembergut pas Luftës së Dytë Botërore konsiderohen si zanafilla e së drejtës penale ndërkombëtare. Më vonë, tribunalet për krimet e luftës në ish-Jugosllavi dhe për gjenocidin në Ruandë gjatë viteve 1990 forcuan kërkesën për një institucion të përhershëm ndërkombëtar.
Juristi i së drejtës ndërkombëtare Kai Ambos nga Universiteti i Göttingenit thekson: “Bëhet fjalë për çështjen themelore të përgjegjësisë, qoftë në Ukrainë, Iran apo Gaza. Nuk mund të ndodhë që krime kaq të rënda të kryhen dhe përgjegjësit kryesorë, veçanërisht udhëheqësit politikë, të mbeten pa u ndëshkuar.”
A duhet të përfundojnë qytetarët amerikanë në bankën e të akuzuarve?
Në një deklaratë video, Marco Rubio pretendoi se GJPN-ja kërcënon sistemin juridik amerikan: “Oficerët e kontrollit kufitar që largojnë kriminelët e dhunshëm nga vendi ynë. Ushtarët amerikanë që rrezikojnë jetën për të mbrojtur vendin tonë. Nëse qëndrojmë pasivë, të gjithë ata do të ishin në mëshirën e gjyqtarëve të huaj mijëra kilometra larg.”
Aktualisht nuk ka asnjë procedurë penale para GJPN-së kundër shtetasve amerikanë. Veprimet e agjentëve të emigracionit dhe kufirit zhvillohen kryesisht brenda SHBA-së, ku gjykata nuk ka juridiksion.
Megjithatë, situata është ndryshe për vrasjet e synuara të trafikantëve të dyshuar të drogës në Karaibe. Ish-prokurori i GJPN-së, Luis Moreno Ocampo, i cilësoi ato në nëntor si krime të mundshme kundër njerëzimit.
Si mund të mbrohet gjykata nga ky presion?
Kai Ambos druhet se mund të shtohet i ashtuquajturi “efekt ftohës” (chilling effect), pra që prokurorët e GJPN-së mund të tregohen më të kujdesshëm ose më të butë ndaj të dyshuarve amerikanë.
Ai përmend edhe fenomenin e “mbipërputhshmërisë” me sanksionet: “Kompanitë jashtë SHBA-së mund të vendosin të mos bashkëpunojnë më me gjykatën, sepse kanë frikë se kjo mund të dëmtojë biznesin e tyre në Amerikë.”
Që vitin e kaluar, Departamenti Amerikan i Shtetit vendosi një sërë sanksionesh ndaj GJPN-së dhe disa gjyqtarëve të saj.Si reagim, gjykata u përpoq të bëhej më pak e varur nga SHBA-ja dhe, për shembull, zëvendësoi disa aplikacione të Microsoft-it me një produkt gjerman me kod të hapur.
Mbështetja nga Evropa
Andreas Schüller mendon se shtetet anëtare mund ta ndihmojnë gjykatën përmes shumë veprimeve të vogla: “Kur fuqitë e mesme dhe shtetet më të vogla bashkohen për të mbështetur institucionet ndërkombëtare dhe për t’i rezistuar presionit amerikan, kjo është gjëja më e rëndësishme.”
Pas kërcënimeve të Rubios, Bashkimi Evropian u rreshtua menjëherë në mbështetje të GJPN-së. Edhe ministri i Jashtëm gjerman Johann Wadephul doli në mbrojtje të saj, duke deklaruar se gjykata e bën botën “më të sigurt dhe më të drejtë”.
Interesant është fakti se në vitin 2022, pas pushtimit rus të Ukrainës, edhe Senati amerikan kishte mbajtur një qëndrim të ngjashëm. Në një rezolutë, GJPN-ja u vlerësua si: “një tribunal ndërkombëtar që synon të mbrojë sundimin e ligjit”, ndërsa hetimet kundër Rusisë u përshëndetën. Një nga bashkësponsorët e asaj rezolute ishte pikërisht Marco Rubio, sot sekretar i Shtetit i SHBA-së./DW







