Një shtetas egjiptian është vënë në pranga nga Policia e Tiranës, pasi dyshohet se organizonte transportimin e emigrantëve të paligjshëm drejt vendeve të Bashkimit Evropian.
Arrestimi u bë në kuadër të operacionit policor të koduar “Organizatori”, ku në pranga ra A. H., 34 vjeç, banues në Krujë.
Ai u kap në flagrancë në autostradë, pranë Rinasit, ndërsa po transportonte drejt Shkodrës një shtetas egjiptian.
Nga hetimet paraprake rezulton se 34-vjeçari dyshohet se organizonte në territorin shqiptar transportimin e emigrantëve, kryesisht shtetas egjiptianë, të cilët synonin të kalonin në mënyrë të kundërligjshme kufijtë me destinacion një nga vendet e Bashkimit Evropian.
Për të shmangur kontrollet e policisë, ai i transportonte emigrantët një e nga një, me qëllim që të mos ngjallte dyshime gjatë lëvizjes.
Gjatë operacionit u sekuestrua edhe telefoni celular i të arrestuarit, i cili do t’i nënshtrohet ekzaminimeve hetimore për të dokumentuar plotësisht veprimtarinë e dyshuar kriminale.
Materialet procedurale i janë referuar Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë, e cila po vijon hetimet për zbardhjen e plotë të rastit.







