Aktivistja dhe anëtarja e Dhomës Britanike të Tregtisë, Silvana Xhaferi Hoxha, e cilësoi protestën 53-ditore një ngjarje të jashtëzakonshme, e cila sipas saj do të mbetet objekt studimi në të ardhmen nga psikologë dhe politologë. Në një intervistë në studio, Hoxha tha se pjesëmarrja masive në protestë tregon një reagim të fortë qytetar ndaj klasës politike dhe mënyrës së qeverisjes. “Është një mrekulli që në 53 ditë kemi një pjesëmarrje kaq masive. Kombi këto vite ka parë se klasa politike e ka tradhtuar dhe njerëzit e kanë parë ngritjen në shesh si mekanizmin e vetëm për të ngritur zërin. Kjo është gjëja më e bukur dhe do të studiohet nga psikologët dhe politikanët e ardhshëm”, u shpreh ajo.
Duke folur për investimet e huaja, Hoxha theksoi se Shqipëria nuk është kundër investimeve, por kundër mënyrës sesi ato miratohen dhe zbatohen.
“Çdo vend në botë i pret dhe i kërkon investimet, por kjo varet nga ligji, dëshira e popullit, ambienti dhe bizneset. Nëse bëjmë një krahasim me rajonin, në Maqedoninë e Veriut ka zona specifike për investimet, me lehtësi fiskale dhe infrastrukturore të mirëstudiuara”, tha ajo.
Sipas saj, në Shqipëri modeli i investimeve strategjike ka dështuar disa herë, pasi vendimmarrja nuk është bazuar gjithmonë në interesin publik.
“Qeveria e vendos si strategjik një investim në bazë të votave që ka marrë. Për një investim strategjik duhet të ketë dakordësi më të gjerë politike, me ¾ e Parlamentit ose edhe përmes një referendumi”, deklaroi Hoxha.
Ajo u ndal edhe te ndikimi i protestës në imazhin e vendit, duke kundërshtuar statistikat e prezantuara nga qeveria.
“Protesta e ka bërë Shqipërinë shumë atraktive. Njerëzit vijnë dhe shohin sesi protestohet në mënyrë paqësore. Nëse flasim për turizmin, ne e kemi fituar nga protesta. Kompanive serioze iu është treguar hapur se ka problematika, por kjo nuk do të thotë se ato largohen”, tha Hoxha.
Sipas saj, pas një ndryshimi politik në vend, Shqipëria mund të përjetojë rritje të investimeve të huaja.
“Statistikat do të tregojnë se do të kemi investime të mëdha pasi kjo qeveri të jetë larguar dhe të ketë ndodhur revolucioni politik. Unë besoj se kjo do të ndodhë, për aq kohë sa jam në shesh”, përfundoi Silvana Hoxha.
Pjesë nga intervista:
Çdo vend në botë i pret dhe i kërkon investimet, por kjo varet nga ligji dhe dëshira e popullit, ambientit dhe bizneseve. Nëse bëjmë një krahasim me rajonin, në RMV ka zona specifike për investimet dhe vetëm vitin e kaluar korrik 2024-korrik 2025, 190 milionë euro kontrata dhe 33 mijë vende pune. Kanë hequr taksat për 10 vite, lehtësi në infrastrukturë, por janë të mirëstudiuara.
Në Shqipëri është provuar disa herë, por ka dështuar. Nuk jemi kundër investimeve, por jemi kundër mënyrës sesi bëhen.
Qeveria e vendos si strategjik një investim në bazë të votave që ka marrë, për një investim strategjik duhet ¾ e Parlamentit të jenë dakord ose edhe me Referendum.
Është mrekulli që në 53 ditë kemi një pjesëmarrje kaq masive, Kombi gjithë këto vite ka parë se klasa politike i tradhtuar dhe e kanë parë ngritjen në shesh si mekanizmin e vetëm ngitjen e zërit dhe kjo është gjëja më e bukur,, kjo do të studiohet nga psikologët dhe politikanët e ardhshëm.
Protesta e ka bërë Shqipërinë shumë atraktive, na figuron ndryshe nga statistikat. Njerëzit vijnë dhe shohin sesi protestohet në mënyrë paqësore. Nëse do të flasim për turizmin e kemi të fituar nga protesta, nëse do të flasim për investimet, kompanive serioze nuk iu është thënë kaq hapur se ka problematika. Statistikat do të tregojnë se do të kemi investime të mëdha pasi kjo qeveri të jetë larguar dhe të këtë ndodhur revolucioni politik.
Unë besoj se do të ndodhë për aq kohë sa jam në shesh”.







